FOKUS – WMO: Shkrirja e akullnajave alpine të Evropës në nivele alarmante

by admin
Spread the love

SHARM EL SHEIK, 6 nëntor /ATSH-DPA/ – Tetë vitet e fundit janë më të nxehtit në histori  duke sjellë ndikime gjithnjë e më dramatike dhe vdekjeprurëse të ndryshimeve klimatike, tha OKB.

”Rritja e nivelit të detit po përshpejtohet, shkrirja e akullnajave alpine të Evropës është në nivele alarmante dhe përmbytjet shkatërruese, thatësira dhe valët e të nxehtit goditën edhe vitin 2022”, tha ndërkohë Organizata Botërore Meteorologjike (WMO).

Ndërsa bisedimet e fundit ndërkombëtare për klimën, Cop27, nisën në Sharm el Sheik, organi i OKB-së për motin dhe klimën publikoi raportin e tij vjetor të gjendjes globale të klimës me një paralajmërim tjetër se ”objektivi për të kufizuar rritjen e temperaturës në 1,5 gradë Celsius ishte pothuajse i paarritshëm”.

”Temperatura mesatare globale në vitin 2022 vlerësohet të jetë rreth 1,15 gradë Celsius mbi nivelet e parë në periudhën 1850-1900”, tha WMO.

Kjo e rendit vitin 2022 si viti i pestë ose i gjashtë më i ngrohtë rekord, përballë një fenomeni të rrallë moti si ”La Nina”, i cili ka ftohur natyrshëm temperaturat globale për dy vitet e fundit.

Por, WMO paralajmëroi se kjo nuk do të thotë se ka pasur një ndryshim në trendin e ngrohjes.

Tetë vitet që nga viti 2015 ka të ngjarë të jenë tetë vitet më të ngrohta të regjistruara dhe ndikimet e ngrohjes globale po bëhen më të theksuara.

Rekordet e shkrirjes së akullnajave u thyen në Alpet Evropiane, me humbje mesatare prej tre deri në katër metra të trashësisë së akullit në të gjithë vargun malor – dukshëm më shumë se viti i mëparshëm rekord, ai 2003./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like