FOKUS – Vaughan Gething kryeministri i parë me ngjyrë në Evropë

by admin
Spread the love

KARDIF, 17 mars /ATSH-ANSA/ – Për herë të parë në histori, Uellsi do të ketë një kryeministër me ngjyrë, i pari në Mbretërinë e Bashkuar dhe i pari edhe në të gjithë Evropën.

Vaughan Gething, i zgjedhur dje në votimin e brendshëm për udhëheqjen e Partisë Laburiste të Uellsit, do të betohet të mërkurën e ardhshme për të marrë detyrën nga paraardhësi i tij në largim, Mark Drakeford.

“Sot ne kthejmë një faqe në librin e historisë së kombit tonë, një histori që e shkruajmë së bashku”, i tha dje Asamblesë Laburiste në Kardif avokati i lindur 50 vjet më parë nga një baba uellsian dhe një nënë nga Zambia.

”Dhe jo vetëm sepse kam nderin të jem lideri i parë me ngjyrë i një kombi evropian, por sepse ka pasur edhe një ndryshim brezash”, nënvizoi ai.

Pasi të jetë në detyrë, Gething do të bëhet kryeministri i tretë jo i bardhë nga katër kombet që përbëjnë Mbretërinë e Bashkuar, pas kryeministrit anglez Rishi Sunak, me origjinë indiane dhe kryeministri skocez Hamza Youssaf, nga një familje pakistaneze.

Gething fitoi garën laburiste me 51,7% të votave duke mposhtur rivalin e tij Jeremy Miles, i cili mori 48,3%.

Lideri laburist britanik, Keir Starmer tha se Gething “do të udhëheqë një qeveri laburiste shpresëdhënëse dhe ambicioze të Uellsit, duke u përballur me një qeveri konservatore të lodhur dhe të dështuar në Westminster”./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like