FOKUS – SHBA vëzhgon nga afër krijimin e qeverisë izraelite të ekstremit të djathtë të Netanyahut

by admin
Spread the love

Uashington, 26 nëntor /ATSH-DPA/ – Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden po sheh me shqetësim krijimin e një qeverie të re izraelite, që do të jetë më e djathta në historinë e vendit dhe mund të prishë synimet thelbësore të SHBA-së për Lindjen e Mesme.

Qeveria e re do të drejtohet nga Benjamin Netanyahu, kryeministri më jetëgjatë i Izraelit, i cili u rrëzua nga detyra vetëm një vit më parë dhe po gjykohet për korrupsion.

Për të rifituar pozicionin, Netanyahu krijoi një aleancë me figura të diskutueshme politike të njohura për pikëpamjet e tyre ekstreme antiarabe, që ka të ngjarë të dënojnë çdo marrëveshje paqeje me palestinezët.

Ballafaqimi me qeverinë e udhëhequr nga Netanyahu do të përbëjë sfida të mëdha për administratën Biden, e cila dëshiron një zgjidhje të konfliktit izraelito-palestinez dhe pranim më të gjerë të Izraelit në botën arabe.

Republikanët në SHBA, të cilët janë të etur për ta paraqitur veten si miq të vërtetë të Izraelit, me siguri do të vënë në pikëpyetje çdo kritikë të administratës Biden ndaj qeverisë së re izraelite.

Netanyahu dhe republikanët amerikanë janë afruar më shumë gjatë dekadës së fundit, duke minuar dekada të mbështetjes dypartiake për Izraelin.

Në vitin 2015, Netanyahu, të cilin republikanët e Kongresit e kishin ftuar për të folur në një sesion të përbashkët të Kongresit, e përdori fjalimin për të kritikuar marrëveshjen bërthamore të ish-presidentit Barack Obama me Iranin.

Ish-presidenti Donald Trump zhvendosi ambasadën amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem dhe njohu aneksimin izraelit të Lartësive të Golanit, duke e kënaqur Netanyahun.

Vetëm këtë javë, Netanyahu mbajti një fjalim para Koalicionit Republikan Hebre.

Netanyahu dhe presidenti Joe Biden kanë thënë të dy se mbështetja e SHBA për Izraelin duhet të mbetet dypartiake.

Megjithatë, aleatët e rinj të Netanyahut mund ta bëjnë këtë gjë të vështirë.

Disa zyrtarë amerikanë kanë treguar tashmë privatisht se nuk do të takohen me Itamar Ben-Gvir dhe Bezazel Smotrich, dy anëtarë të mundshëm të qeverisë së Netanyahut.

Ben-Gvir dhe Smotrich mbrojnë njohjen e vendbanimeve të paligjshme izraelite në Bregun Perëndimor, ku jetojnë shumica e palestinezëve, dhe përfundimisht aneksimin e pjesës më të madhe ose të gjithë territorit.

Ata kundërshtojnë krijimin e një shteti të veçantë palestinez.

Netanyahu ka nevojë për mbështetjen e tyre për të çimentuar një shumicë në Knesset

Mbështetja e tyre gjithashtu mund ta ndihmojë atë të miratojë një ligj që do ta lejonte atë të shmangte gjyqin e tij për korrupsion./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like