UASHINGTON, 26 janar /ATSH-AA/ – Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Ned Price, tha se për tanket që do t’i jepen Ukrainës, ashtu si edhe armët e tjera, qëndron kushti që ato të përdoren vetëm për mbrojtjen e territorit të vendit.
Në konferencën për media të Departamentit të Shtetit, që u mbajt pasi presidenti amerikan Joe Biden njoftoi se ushtrisë së Ukrainës do t’i japin 31 tanke “M1 Abrams”, u parashtrua pyetja nëse do të lejohej apo jo që këto tanke të përdoren në një operacion kundër Krimesë, në territoret e Rusisë ose kundër trupave ruse në Bjellorusi.
Price nuk tha nëse do të përdoren apo jo këto tanke jashtë territoreve të Ukrainës.
“Është vendosur një kusht. Çdo gjë që kemi dhënë është që Ukraina të mbrojë veten. Çdo gjë që kemi dhënë është që partnerët tanë ukrainas të mbrojnë në mënyrë efektive dhe të suksesshme kufijtë e njohur ndërkombëtarisht si pjesë e territorit sovran të Ukrainës. Kjo është e vlefshme për tanket ‘Abrams’ që kemi njoftuar së fundmi, për sistemet tjera që siguruam vitin e kaluar para 24 shkurtit si dhe për sistemet blindshpuese dhe të mbrojtjes ajrore si ‘Stinger’, ‘Javeline’”, tha Price.
“Me marrjen e këtij vendimi, SHBA-ja ka treguar se është në unitet me partnerët e saj kundër Rusisë”, theksoi zëdhënësi Price i cili shtoi se ky vendim ka ardhur në fund të bisedës që Biden zhvilloi me liderët e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe.
Ai shtoi se vendimi në fjalë është rezultat i një diplomacie të “suksesshme”, “të dobishme” dhe “konstruktive”. /os/