FOKUS – Scholz: Diplomacia të shmangë një Luftë të re të Ftohtë

by admin
Spread the love

BERLIN, 5 dhjetor /ATSH- AA/ – Kancelari gjerman Olaf Scholz paralajmëroi për një Luftë të re të Ftohtë që do ta ndante botën në blloqe konkurruese dhe bëri thirrje për më shumë përpjekje diplomatike për të zgjidhur problemet në botën e sotme shumëpolare.

Scholz prezantoi qëllimet dhe prioritetet e politikës së jashtme të tij në një artikull të publikuar në revistën “Foreign Affairs”, ku ka paraqitur pikëpamjet e tij për marrëdhëniet e ardhshme me Kinën.

Kancelari socialdemokrat tha se në botën e sotme shumëpolare vende dhe modele të ndryshme të qeverisjes po konkurrojnë për pushtet dhe ndikim, ndërkaq disa analistë supozojnë se bota është në prag të një Lufte të re të Ftohtë, ku do të ballafaqohen SHBA-ja kundër Kinës.

“Nuk pajtohem me këtë pikëpamje. Në vend të kësaj, besoj se ajo që po dëshmojmë është fundi i një faze të jashtëzakonshme të globalizimit”, tha Scholz, duke shtuar se ndërsa Kina është shfaqur si një aktor i fortë ekonomikisht dhe politikisht i sigurt, SHBA-ja dëshiron të ruajë rolin e saj si “fuqia kryesore e botës” në shekullin e 21-të.

“Rritja e Kinës nuk arsyeton izolimin e Pekinit apo frenimin e bashkëpunimit. Por as fuqia në rritje e Kinës nuk justifikon pretendimet për hegjemoninë në Azi dhe më gjerë”, tha Scholz dhe mbrojti politikën e tij të moderuar ndaj Kinës.

Pavarësisht presionit nga partnerët e tij të koalicionit për të mbajtur një qëndrim më të ashpër ndaj Kinës, Scholz ka mbrojtur politikën e moderuar duke thënë vazhdimisht se Kina është edhe një rival sistematik dhe një partner ekonomik.

Kina aktualisht është partneri më i madh tregtar i Gjermanisë për mallra, kurse tregtia dypalëshe mes tyre arriti në 245 miliardë euro në vitin 2021.

Në shkrimin e tij, Scholz theksoi nevojën për forcimin e marrëdhënieve me Kinën për çështje me interes të ndërsjellë, pa iu shmangur polemikave dhe pa kritikuar Pekinin për çështjet shqetësuese.

“Gjatë vizitës sime të fundit në Pekin, shpreha mbështetje të fortë për rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla, siç është parashikuar në Kartën e OKB-së, si dhe për tregtinë e hapur dhe të ndershme”, theksoi ai.

“Në Pekin, unë gjithashtu ngrita shqetësime për pasigurinë në rritje në Detin e Kinës Jugore dhe ngushticën e Tajvanit dhe vura në pikëpyetje qasjen e Kinës ndaj të drejtave të njeriut dhe lirive individuale”, tha Scholz.

“Respektimi i të drejtave dhe lirive themelore nuk mund të jetë kurrë një ‘çështje e brendshme’ për shtetet individuale, sepse çdo shtet anëtar i OKB-së zotohet t’i mbështesë ato”, shtoi ai.

Scholz ripohoi se Gjermania do të jetë në solidaritet me partnerët e saj perëndimorë për të adresuar sfidat gjeopolitike dhe do të vazhdojë të mbështesë “zgjidhje shumëpalëshe” të problemeve globale.

“Gjermania dhe partnerët e saj në BE, Shtetet e Bashkuara, G7 dhe NATO duhet të mbrojnë shoqëritë tona të hapura, të mbrojnë vlerat tona demokratike dhe të forcojnë aleancat dhe partneritetet tona”, tha ai.

“Por ne gjithashtu duhet të shmangim joshjet për të ndarë edhe një herë botën në blloqe. Kjo do të thotë të bësh çdo përpjekje për të ndërtuar partneritete të reja, në mënyrë pragmatike dhe pa verbime ideologjike”, theksoi kancelari gjerman.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like