FOKUS – ”Save the Cildren”: Një vit pas tërmetit një në tre fëmijë turq ende i pastrehë

by admin
Spread the love

NJU JORK, 5 shkurt /ATSH-ANSA/ – Në Turqi, një në tre fëmijë që humbën shtëpitë e tyre në tërmetin e një viti më parë ende jeton në strehimore të përkohshme, ndërsa si në Turqi ashtu edhe në Siri, fëmijët më të vegjël luftojnë me ankthin dhe probleme të tjera të shëndetit mendor të lidhura me traumën e shkaktuar nga tërmeti.

Raporti i dalë përkon me një studim të organizatës së Kombeve të Bashkuara ”Save the Children”, organizata që ka mbi 100 vjet që lufton për të shpëtuar djemtë dhe vajzat në rrezik dhe për t’u garantuar atyre një të ardhme.

Në shkurt të vitit 2022, dy tërmete shumë të forta dhe pasgoditje të shumta në Turqi dhe Siri vranë mbi 56 000 njerëz dhe shpërngulën miliona, duke përfshirë afërsisht 6,2 milionë fëmijë.

Në Turqi, rreth 2,4 milionë njerëz, duke përfshirë 660 000 fëmijë, janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre dhe të zhvendosen në vendbanime të përkohshme, duke jetuar në tenda dhe kontejnerë metalikë të ngushtë sa një vend parkimi.

Një vit më vonë, më shumë se 761 000 njerëz, përfshirë 205 000 fëmijë, janë ende të pastrehë.

Në Siri, fëmijët që i mbijetuan tërmetit duhej të përballeshin me një krizë ekonomike në rritje dhe një përshkallëzim të ri të konfliktit, i cili dëmtoi më tej shkollat ​​dhe qendrat shëndetësore.

Mijëra njerëz tani janë pa qasje në strehim dhe pa ushqim, ndërsa pjesa më e madhe e ndihmës nga Programi Botëror i Ushqimit i Kombeve të Bashkuara në zonat e goditura nga tërmeti është pezulluar.

“Siria po përballet me një krizë pas tjetrës. Tërmeti, konflikti, ekonomia dhe numri i njerëzve që kanë nevojë për ndihmë është gjithnjë e më i lartë. Nuk ka ende shenja të rimëkëmbjes këtu”, theksoi Rasha Muhrez, drejtoreshë e ”Save the Children” për Sirinë./   /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like