FOKUS – Rusia bllokon deklaratën përfundimtare të konferencës për shqyrtimin e traktatit bërthamor

by admin
Spread the love

NJU JORK, 27 gusht /ATSH-DPA/ – Rusia bllokoi deklaratën përfundimtare të përbashkët të konferencës së dhjetë të Kombeve të Bashkuara për rishikimin e Traktatit të Mospërhapjes Bërthamore, e cila përfundoi të premten në Nju Jork.

“Për keqardhjen time të thellë, kjo konferencë nuk ishte në gjendje të arrinte një konsensus,” theksoi kryetari i takimit, Gustavo Zlauvinen, në fund të takimit.

Në konferencën katër-javore, disa shtete dhe organizata joqeveritare kishin shpresuar të vendosnin afate të detyrueshme për çmontimin e armëve bërthamore në mbarë botën.

Delegati rus tha se vendi i tij nuk ishte dakord me pesë seksione të draftit përfundimtar, megjithëse ai nuk dha detaje të mëtejshme dhe tha se qëndrimi rus mbështetej edhe nga vende të tjera.

Megjithatë, pas deklaratës ruse, delegatë nga dhjetëra vende thanë se ishin dakord me deklaratën dhe shprehën zhgënjimin që një marrëveshje nuk mund të arrihet përfundimisht.

Një tjetër përfaqësues rus, nga ana tjetër, u ankua se pjesëmarrësit e tjerë kishin përdorur konferencën për të larë hesapet me Rusinë për luftën kundër Ukrainës në vend që të punonin për çarmatimin bërthamor.

Konferenca e Rishikimit të Traktatit të Mospërhapjes Bërthamore filloi më 1 gusht në Nju Jork. Traktati, i cili hyri në fuqi në vitin 1970, deri më tani është ratifikuar nga 191 vende të botës. Qëllimi i tij është çarmatimi bërthamor.

Megjithatë, kritikët ankohen se pesë fuqitë zyrtare bërthamore – Shtetet e Bashkuara, Kina, Britania e Madhe, Franca dhe Rusia – u nënshtrohen rregullave të ndryshme nga nënshkruesit që nuk kanë armë bërthamore.   /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like