FOKUS – Presidenti i Katalonjës propozon referendumin e ri për pavarësinë nga Spanja

by admin
Spread the love

MADRID, 2 prill /ATSH-DPA/- Qeveria e Katalonjës ka paraqitur një propozim konkret për një referendum të ri për pavarësinë nga Spanja.

“Votimi është i mundur, është vetëm një çështje e vullnetit politik”, tha sot presidenti rajonal Pere Aragonès në Barcelonë.

“Një pyetje e qartë do t’u bëhet votuesve, e cila mund të ketë vetëm një Po ose Jo: “A dëshironi që Katalonja të bëhet një shtet i pavarur?”, tha ai.

Aragonès tha se një referendum i tillë mund të zhvillohej në bazë të nenit 92 të kushtetutës, i cili lejon që vendimet politike të një rëndësie të veçantë të vendoseshin në referendum. Kjo do të duhej të thirrej nga mbreti Felipe VI me propozimin e kreut të qeverisë spanjolle pas miratimit nga parlamenti.

Por propozimi u refuzua menjëherë nga anëtarët e qeverisë qendrore në Madrid.

Ministri presidencial Félix Bolaños tha se ai ishte “absolutisht kundër”.

Zëdhënësja e qeverisë Pilar Alegría tha se propozimi i Aragonès përbënte një qëndrim politik përpara zgjedhjeve parlamentare në Katalonjë më 12 maj.

Kryeministri Pedro Sánchez ra dakord të ofronte amnisti për ata që ishin përfshirë në përpjekjen e dështuar të pavarësisë së Katalonjës në vitin 2017, në mënyrë që të siguronte rizgjedhjen e tij vjeshtën e kaluar me votat e tyre.

Megjithatë, ai vazhdon ta përjashtojë referendumin për pavarësinë.

Aragonès theksoi se Sánchez kishte përjashtuar gjithashtu një amnisti për një kohë të gjatë, por më pas kishte ndryshuar mendje. Qeveria e pakicës e Sanchez varet nga votat e katalanasve në parlament.

Përveç të Majtës Republikane të Katalonjës (ERC) të Aragonès, partitë e tjera katalane po bëjnë gjithashtu presion që rajoni të shkëputet nga Spanja.

Këto përfshijnë konservatorët Junts të Carles Puigdemont, i cili u largua në mërgim në Belgjikë në vitin 2017.

Puigdemont,61 vjeç së fundmi njoftoi se do të ishte kandidati kryesor i Junts në zgjedhjet rajonale.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like