FOKUS – Polonia kritikon mungesën e progresit në sanksionet e BE-së kundër Bjellorusisë

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

VARSHAVE, 11 prill /ATSH-PAP/ – Polonia është e zhgënjyer me presidencën suedeze të Këshillit të Bashkimit Evropian pasi puna për sanksionet e BE-së kundër Bjellorusisë ka ngecur, deklaroi Andrzej Sados, ambasadori polak në BE.

Sanksionet e BE-së kundër Bjellorusisë për mbështetjen e agresionit rus kundër Ukrainës dhe për persekutimin e kundërshtarëve të regjimit të presidentit bjellorus Alexander Lukashenko, u njoftuan nga kryetarja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në fillim të janarit të këtij viti.

Sipas kryeministrit polak Mateusz Morawiecki, ”deklarata e Rusisë për vendosjen e armëve bërthamore në Bjellorusi duhet të rezultojë gjithashtu në një paketë të re sanksionesh kundër Bjellorusisë”.

Por Sados deklaroi se puna për sanksionet e BE-së kundër Bjellorusisë ka ngecur në Bruksel dhe shumë vende të BE-së nuk po e fshehin zhgënjimin e tyre për pasivitetin e presidencës suedeze, e cila është përgjegjëse për koordinimin e tyre.

“Suedezët praktikisht nuk bëjnë asgjë në këtë çështje”, theksoi Sados.

Sipas informacioneve jozyrtare të siguruara nga PAP, pas ngërçit qëndrojnë disa vende të Evropës Perëndimore, të cilat dëshirojnë që miratimi i sanksioneve të reja ndaj Minskut të shoqërohet me heqjen e kufizimeve të miratuara më parë për importin e disa plehrave potasike. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like