FOKUS – Moti i keq ndalon trenat e ”Eurostar”, mijëra të bllokuar

by admin
Spread the love

LONDËR, 31 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Një natë makthi e Vitit të Ri për ata që kishin vendosur të kalonin pushimet jashtë Londrës këtë vit dhe për turistët e shumtë në qytet që donin të udhëtonin me tren.

Vala e motit të keq me shi të dendur shkaktoi përmbytjen e dy tuneleve nën lumin Thames duke bllokuar të gjitha nisjet dhe mbërritjet e ”Eurostar” në kryeqytetin britanik.

Shërbimi hekurudhor, i cili drejton trenat nga Londra në Paris, Bruksel dhe Amsterdam, anuloi të 41 trenat, duke bllokuar rreth 30 000 pasagjerë në një nga fundjavat më të ngarkuara të vitit.

”Për shkak të një problemi të infrastrukturës në linjën e shpejtësisë së lartë, ne jemi të detyruar të anulojmë të gjithë trenat për dhe nga Londra”, shkroi ”Eurostar” në faqen e tij të internetit.

”Përmbytja e tunelit midis Saint Pancras, stacionit të nisjes dhe mbërritjes së trenave në kryeqytetin britanik dhe Ebbsfleet, në juglindje të Anglisë, nuk është përmirësuar dhe shërbimet e trenave nuk janë në gjendje të funksionojnë”, shpjegoi ai.

Eurostar ka njoftuar se po bën të gjitha përpjekjet që sot të funksionojnë të gjithë trenat e planifikuar.

“Ne mund të konfirmojmë se do të ndjekim orarin e planifikuar. Stacionet tona do të jenë jashtëzakonisht të ngarkuara”, tha kompania në X.

Grupi njoftoi gjithashtu se ”Network Rail” (kompania britanike që menaxhon infrastrukturën hekurudhore) po përditëson në kohë reale situatën dhe do të jetë në kontakt të drejtpërdrejtë me klientët që duhet të udhëtojnë.

Teknikët punuan gjithë ditën për të hequr ujin e paprecedentë, por edhe nëse niveli është në rënie, ende nuk dihet nëse shërbimet do të rifillojnë të dielën e datës 31./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like