FOKUS – Mbi 70 sulme ajrore turke shënjestrojnë militantët kurdë në Irak dhe Siri

by admin
Spread the love

STAMBOLL, 27 dhjetor /ATSH-DPA/ – Sulmet ajrore turke goditën gjithsej 71 objektiva militantë kurdë në Sirinë veriore dhe Irak në përgjigje të përleshjeve vdekjeprurëse gjatë fundjavës, njoftoi sot Ministria e Mbrojtjes në Ankara.

“Gjithsej 59 terroristë u neutralizuan si rezultat i sulmeve ajrore dhe përleshjeve”, tha ministri i Mbrojtjes Yaşar Güler.

Ankaraja përdor shpesh termin e neutralizuar për t’iu referuar militantëve të vrarë ose të kapur të Partisë së ndaluar të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut me qendër në Britaninë e Madhe, një monitorues i luftës i cili ka dokumentuar dhunën në Siri që nga viti 2011, tha se Turqia ka goditur 48 objektiva në Sirinë verilindore gjatë 48 orëve.

Observatori tha se forcat e armatosura turke po përqendrojnë sulmet me dronë në infrastrukturat, si spitale, karburante, fabrika të grurit dhe shtëpi të civilëve, duke shkaktuar humbje të mëdha.

“Disa nga këto qendra u shkatërruan plotësisht, duke shkaktuar vdekjen e 20 civilëve”, shtoi observatori.

Gjysmëhëna e Kuqe kurde në verilindje të Sirisë tha se sulmet kanë shënjestruar dhe shkatërruar një klinikë ambulatore në Kobani të specializuar për diabetin dhe të mbështetur nga një shoqatë gjermane.//a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like