FOKUS – ”Kathimerini”: Athina nën presionin e BE-së për Shqipërinë

by admin
Spread the love

ATHINË, 29 nëntor /ATSH/ – Konsultime intensive diplomatike po zhvillohen për të bindur Greqinë për dërgimin e një letre, në emër të Këshillit Evropian, në Tiranë, në mënyrë që Shqipëria të fillojë negociatat për grupin e parë të kapitujve të anëtarësimit në BE, shkruajnë Vassilis Nedos dhe Alexandra Voudouri për të përditshmen e njohur greke ”Kathimerini”.

Diskutimi për këtë çështje pritet të zhvillohet të mërkurën gjatë takimit të Përfaqësuesve të Përhershëm në BE (Coreper), pasi të premten e kaluar Shqipëria përfundoi me sukses fazën e parë të negociatave të anëtarësimit në BE (procesi i shqyrtimit) pas 14 muaj konsultimesh.

Nuk është ”sekret” se Athina ka qenë nën presion për të qenë e përfshirë dhe, në një koment për ”Kathimerini”-n, burime diplomatike evropiane thanë se kancelari gjerman Olaf Scholz ka thënë përmes kanaleve diplomatike se procesi i anëtarësimit nuk duhet të jetë një çështje dypalëshe.

Më tej, sipas një zyrtari evropian, edhe presidenca spanjolle e BE-së shfaqet veçanërisht e irrituar nga qëndrimi i palës greke.

”Në këtë kontekst, Greqia nuk mundet të vazhdojë të bllokojë letrën në fjalë edhe shumë kohë pasi të ketë përfunduar procesi i shqyrtimit i Shqipërisë. Për këtë arsye, dhe në rast se përfundimisht vendos të dërgojë letrën e lartpërmendur të Këshillit Evropian, Athina po shqyrton mundësinë e “bllokimit” të fazës tjetër të procesit përkatës, i cili përfshin një raport që përshkruan të gjitha standardet për atë që është miratuar tashmë ose duhet të ishte përmbushur nga Tirana (marrëdhënie e përhershme anëtarësimi), si dhe thirrja e një konference ndërqeveritare përkatëse”, theksojnë burime diplomatike.

Greqia është zotuar të bllokojë aspiratat e Tiranës për në BE derisa të zgjidhet çështja e kryebashkiakut të zgjedhur etnik grek Fredi Beleri, i cili është burgosur në Shqipëri që prej majit, duke theksuar se të drejtat e tij të njeriut po shkelen.

Në përgjigje të akuzave se Greqia po e bën këtë çështje dypalëshe, ministri i Shtetit, Stavros Papastavrou theksoi se qëndrimi i Athinës është të mbrojë parimet evropiane.

”Çështja Beleri është thellësisht evropiane, nuk është dypalëshe. Ka të bëjë me respektimin e shtetit të së drejtës”, tha Papastavrou./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like