FOKUS – Izraeli dhe Libani nënshkruajnë marrëveshjen ‘historike’ për kufirin detar

by admin
Spread the love

BEJRUT, 27 tetor /ATSH-DPA/ – Izraeli dhe Libani kanë nënshkruar një marrëveshje për një kufi të përbashkët detar që parashikon shfrytëzimin e gazit nënujor, pas një konflikti dekadash mbi kontrollin e kufirit.

Të dy vendet i dhanë dritën jeshile marrëveshjes sot, me kryeministrin izraelit Yair Lapid që nënshkruan marrëveshjen në Jerusalem dhe presidentin libanez Michel Aoun në pallatin presidencial të Bejrutit, njoftuan të dy udhëheqësit në deklarata të veçanta.

Qeveria izraelite njoftoi miratimin e saj të marrëveshjes, duke hapur rrugën për nënshkrimin e marrëveshjes pasi Libani dha miratimin e saj dy javë më parë.

Lapid e përshëndeti masën si një arritje diplomatike përpara një takimi të posaçëm të kabinetit në Jerusalem.

“Nuk ndodh çdo ditë që një vend armik e njeh shtetin e Izraelit në një marrëveshje me shkrim përpara bashkësisë ndërkombëtare”, tha ai, duke shtuar se marrëveshja forcon ekonominë dhe sigurinë e Izraelit.

Libani dhe Izraeli janë zyrtarisht në gjendje lufte. Aoun theksoi se marrëveshja e kufirit detar nuk kishte implikime politike.

“Përfundimi i dosjes së demarkacionit të kufirit detar jugor është punë teknike që nuk ka dimensione apo efekte politike që bien ndesh me politikën e jashtme të Libanit në marrëdhëniet e tij me vendet e tjera”, tha Aoun në Twitter.   /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like