FOKUS – ILO: Mbi 50 milionë persona në kushtet e skllavërisë moderne

by admin
Spread the love

ANKARA, 2 dhjetor /ATSH-AA/ – Vlerësimet e fundit globale, të përpiluara nga AA me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Heqjen e Skllavërisë, tregojnë se në vitin 2021, 50 milionë persona jetuan në kushtet e skllavërisë moderne.

“Nga këta, 28 milionë ishin të angazhuar në punë të detyruar, ndërsa 22 milionë ishin të bllokuar në martesë të detyruar”, thuhet në raportin e përbashkët të publikuar në shtator nën titullin “Vlerësimet globale të skllavërisë moderne” nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), Organizata Ndërkombëtare për Migracion (IOM) dhe organizata jofitimprurëse ”Walk Free”.

Në raport thuhet se në pesë vitet e fundit është shënuar një rritje e konsiderueshme e numrit të njerëzve të bllokuar në skllavërinë moderne, pasi sipas vlerësime globale, në vitin 2021 kishte 10 milionë njerëz më shumë që ishin të përfshirë në skllavërinë moderne, në krahasim me vitin 2016.

Skllavëria moderne përbëhet nga dy komponentë kryesorë, nga puna e detyruar dhe martesa e detyruar.

Të dyja i referohen situatave të shfrytëzimit, të cilat një person nuk mund t’i refuzojë ose nuk mund të largohet prej tyre për shkak të kërcënimeve, dhunës, mashtrimit, shpërdorimit të pushtetit ose formave të tjera të detyrimit.

“Gratë dhe vajzat përbëjnë 11,8 milionë nga numri i përgjithshëm i personave të përfshirë në punë të detyruar. Më shumë se 3,3 milionë nga të gjithë ata që janë në punë të detyruar, janë fëmijë”, thuhet në raport.

Më 2 dhjetor 1949, OKB miratoi një rezolutë që synonte çrrënjosjen e formave bashkëkohore të skllavërisë, si trafikimi i qenieve njerëzore, shfrytëzimi seksual, puna e fëmijëve dhe martesat e detyruara.

Që prej asaj kohe, 2 dhjetori shënohet çdo vit si Dita Ndërkombëtare për Heqjen e Skllavërisë./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like