FOKUS – Holanda dhe Austria qëndrime të ndryshme për aderimin në Schengen të Kroacisë, Rumanisë dhe Bullgarisë

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 6 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Ne ishim ngurrues për aderimin në Schengen të Kroacisë, Rumanisë dhe Bullgarisë, por në fund të diskutimeve tona arritëm në përfundimin që Kroacia dhe Rumania të anëtarësohen në zonën Schengen, deklaroi kryeministri holandez, Mark Rutte, në kuadër të samitit BE-BP.

”Për sa i përket Bullgarisë, nuk është një ‘jo’, por një ‘ende jo’. Ne kemi nevojë për më shumë kohë, veçanërisht për mekanizmin e verifikimit dhe monitorimin e Schengenit”, shtoi ai.

Rutte tha se ishte “optimist” për “hapa përpara” vitin e ardhshëm për anëtarësimin e Bullgarisë në Schengen.

Ministrat e BE-së duhet të shprehen për aderimin e tre shteteve anëtare në zonën e lirë të qarkullimit në Këshillin e ardhshëm të Punëve të Brendshme të BE-së, në program të enjten. Vendimi kërkon unanimitet.

Ndërkohë, Austria përsëriti një ”jo” të fuqishme për hyrjen në zonën Schengen të Rumanisë dhe Bullgarisë.

”Nuk ka asnjë miratim nga Austria, na nevojitet më shumë kohë. Kemi 75 000 emigrantë të paligjshëm të regjistruar në Austri. Fillimisht duhet t’u përgjigjemi çështjeve të sigurisë”, tha kancelari austriak, Karl Nehammer, i cili ndodhet në Tiranë për samitin BE-BP.

Deklaratat e Nehammerit erdhën pasi presidenti rumun, Klaus Iohannis, u tha gazetarëve në Tiranë se synimi i Bukureshtit është që të negociojë deri në momentin e fundit me BE-në./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like