FOKUS – Gazetarët e “New York Times” në grevë historike

by admin
Spread the love

NJU JORK, 9 dhjetor /ATSH-DPA/ – Qindra gazetarë të “New York Times” refuzuan të punojnë dje, aksioni më i madh kundër punëdhënësve në gazetën kryesore amerikane në më shumë se 40 vjet.

Greva 24-orëshe e “New York Times” kërkon të theksojë zhgënjimin në rritje të gazetarëve, redaktorëve, producentëve online, rojave të sigurisë dhe punonjësve të tjerë mbi ritmin e ngadaltë të negociatave për një kontratë të re pune.

Kontrata e fundit e redaksisë skadoi në mars 2021 dhe drejtuesit thanë këtë javë se “dështimi i kompanisë për të bërë negociata me mirëbesim” shkaktoi largimin e tyre.

“Ne jemi thellësisht të përkushtuar për suksesin e gazetës. … (Por) sot, për herë të parë në dekada, ne po e përmbushim atë mision në një mënyrë tjetër”, thanë gazetarët, në një letër drejtuar lexuesve.
Sidoqoftë, ekipi menaxhues i gazetës kundërshtoi një marrëveshje të ngadaltë për të mbuluar 1 450 anëtarët e një prej medieve më prestigjioze të botës.

“Është zhgënjyese që ata po ndërmarrin veprime kaq drastike, duke pasur parasysh angazhimin e qartë që kemi treguar për të negociuar rrugën tonë drejt një kontrate që u siguron gazetarëve rritje të konsiderueshme pagash, përfitime në treg dhe kushte fleksibël pune”, tha shefja ekzekutive e gazetës, Meredith Kopit Levien.

Ndërkohë, redaktori ekzekutiv Joseph Kahn, në një email të veçantë drejtuar redaksisë, shkroi se “grevat zakonisht ndodhin kur bisedimet ngecin”.

Negociatat kanë vazhduar për 20 muaj.

Gazetarët kanë kërkuar një rritje page prej 10% në ratifikimin e kontratës dhe 5,5% rritje në 2023 dhe 2024.

Ata kanë kërkuar një pagë minimale vjetore prej 65 000 dollarësh duke përmendur koston e lartë të jetesës në Nju Jork./ /ai/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like