FOKUS – Europol: 44 të arrestuar, pjesë e një prej rrjeteve më kriminale në Evropë

by admin
Spread the love

BERLIN, 26 nëntor /ATSH-DPA/ – Dyzet e katër persona janë arrestuar në 10 vende të ndryshme pas kontrolleve në mbarë Evropën që synonin një rrjet kriminal me rrezik të lartë, thanë agjencia e zbatimit të ligjit të Bashkimit Evropian, Europol, dhe autoriteti gjyqësor evropian, Eurojust.

”Të arrestuarit, të dyshuar si pjesë e një rrjeti kriminal të konsideruar si një nga më të rrezikshmit në Bashkimin Evropian, akuzohen për trafik droge dhe pastrim parash”, thanë autoritetet në një deklaratë të përbashkët.

Sipas deklaratës, hetimet në disa vende zbuluan se disa organizata kriminale në tre kontinente po punonin së bashku për të kryer krime në shkallë të gjerë brenda dhe jashtë BE-së.

Në një “operacion të paprecedentë ndërkombëtar” që përfshin agjenci gjyqësore dhe ligjzbatuese nga 11 vende, të udhëhequra nga autoritetet lituaneze dhe të koordinuar nga Europol dhe Eurojust, figurat kryesore dhe bashkëpunëtorët e tyre u shënjestruan në një total prej 94 kontrollesh në të gjithë Evropën.

Sipas autoriteteve, rrjeti kriminal vepronte në Lituani, Letoni, Republikën Çeke, Poloni, Francë, Gjermani dhe Sllovaki.

Gjatë kontrolleve u sekuestruan sasi të mëdha droge të paligjshme si kokainë, hashash dhe metamfetaminë.

Thuhej se rrjeti ishte i strukturuar si një kompani, me grupe të ndryshme kriminale që punojnë së bashku përtej kufijve në një përpjekje për të kontrolluar të gjithë zinxhirin e trafikut të drogës – nga organizimi i dërgesave të mëdha të drogës deri te shpërndarja./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like