FOKUS – DASH: Rusia ka pasur ndikim në krizën në veri të Kosovës

by admin
Spread the love

TIRANË, 15 dhjetor /ATSH/ – Në raportin e tij për Kosovën, Departamenti amerikan i Shtetit thotë se Rusia ka ndikuar në tensionimin e situatës në veri të vendit, sipas https://www.state.gov/reports/country-reports-on-terrorism-2022/kosovo/.

”Paqëndrueshmëria politike dhe çështjet e sigurisë kanë kufizuar aftësinë e qeverisë së Kosovës për të shtrirë autoritetin e saj në veri”, theksohet në raportin periodik për terrorizmin.

“Qytetarët e Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, janë objektiva potencialë për rekrutim nga organizatat e dhunshme ekstremiste me orientim politik etno-nacionalist apo fetar. Përveç kësaj, çështjet e sigurisë dhe destabiliteti politik në veri të Kosovës vazhduan të kufizojnë aftësinë e qeverisë së Kosovës të ushtrojë autoritetin në atë rajon”, thuhet në raport

”Forca e Kosovës e udhëhequr nga NATO dhe Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës (PK) për të promovuar një mjedis të sigurt dhe për të forcuar sundimin e ligjit”, theksohet në të.

DASH konstaton se tensionet ndëretnike në Kosovë janë edhe pasojë e ndikimit të Rusisë.

”Që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia, ambasada në Prishtinë ka vërejtur një rritje të dezinformatave ruse dhe ka vlerësuar se është një nxitëse gjithnjë e më e pranishme e mendimit të dhunshëm ekstremist dhe polarizimit ndëretnik që kontribuon në tensionet ndëretnike në veri të Kosovës”, thuhet në raport.

”Në prill, qeveria e Kosovës i ka denoncuar sulmet e armatosura kundër policëve në veri të Kosovës si akte terrorizmi. Prokurorët kosovarë këto incidente i klasifikuan si akte terroriste dhe akte kundër rendit kushtetues. Në dhjetor, Policia e Kosovës arrestoi ish-oficerin e PK-së, Dejan Pantiç për vepra të ndërlidhura me terrorizëm pas një sulmi që përfshinte një mjet shpërthyes në objektet zgjedhore lokale dhe stafin zgjedhor komunal në Mitrovicën e Veriut”, thuhet në raport.

DASH ka përmendur edhe riatdhesimin e qytetarëve kosovarë nga qendrat e paraburgimit dhe kampet e personave të zhvendosur në Siri.

Për sa i përket luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm, sipas DASH-it, Kosovës i mungon një strategji gjithëpërfshirëse për të adresuar kërcënimet e reja që lidhen me terrorizmin.

”Kosova funksionon me një strategji dhe plan veprimi të vjetëruar”, sipas raportit.

”Kosova vazhdon bashkëpunimin përmes Fondit Global për Angazhim dhe Qëndrueshmëri në Komunitet, përmes të cilit Kosova po forcon rrjetin e aktorëve që punojnë në riintegrimin dhe rehabilitimin e grave dhe fëmijëve të kthyer nga zonat e konfliktit. Trembëdhjetë komuna të Kosovës janë anëtare të Rrjetit të Qyteteve të Forta. Shtetet e Bashkuara vazhduan programin CVE në Kosovë, siç është projekti i Seksionit të Diplomacisë Publike të Ambasadës në Prishtinë, i fokusuar në çështjet e ekstremizmit të dhunshëm që rezultoi në dokumentarin Ekstremizmi në botën moderne”, thuhet në raport./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like