FOKUS – BM: Rezervat e pakta të municioneve faktor kyç kufizues për Rusinë

by admin
Spread the love

LONDER, 24 dhjetor /ATSH-DPA/ – Sipas shërbimit sekret britanik, mungesa e municioneve dhe raketave “me shumë gjasa mbetet faktori kyç kufizues në operacionet sulmuese ruse” në Ukrainë.

Në një përditësim të raporteve nga Ministria e Mbrojtjes, Kremlini “ka të ngjarë të kufizojë sulmet e tij me raketa me rreze të gjatë kundër infrastrukturës ukrainase në rreth një herë në javë për shkak të disponueshmërisë së kufizuar të raketave”.

”Stoku i municioneve artilerike të forcave ruse mund të mos jetë mjaft i madh për të mundësuar operacione sulmuese në shkallë të gjerë”, sipas përditësimit të publikuar sot në mëngjes.

Që nga fillimi i luftës ruse kundër Ukrainës në fund të shkurtit, Ministria britanike e Mbrojtjes ka publikuar çdo ditë informacion mbi rrjedhën e luftës, duke cituar shërbimet sekrete.

Moska akuzon Londrën për një fushatë dezinformimi të qëllimshëm.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëroi të premten në mbrëmje për sulme të tjera të mundshme ruse në javët e ardhshme.

Kremlini kishte thënë më parë se nuk kishte plane për një armëpushim gjatë periudhës së festave.

“Me afrimin e sezonit të festave, terroristët rusë mund të aktivizohen përsëri”, tha Zelensky duke u kërkuar ukrainasve që të jenë veçanërisht vigjilentë në ditët në vijim./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like