FOKUS – Blinken: Nuk inkurajojmë sulmet e Ukrainës në territorin rus

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

UASHINGTON, 7 dhjetor /ATSH-AFP/ – SHBA deklaroi se nuk inkurajon Ukrainën të nisë sulme në Rusi, pas sulmeve me dronë, që besohet se kanë ardhur nga Kievi, kundër disa bazave ajrore ruse.

“Ne nuk inkurajojmë dhe nuk e ndihmojmë Ukrainën të nisë sulme në Rusi”, u tha gazetarëve sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

“Por, ajo që duhet të kuptoni është se ukrainasit jetojnë çdo ditë me agresionin rus që vazhdon”, shtoi ai duke akuzuar Moskën se “e ka shndërruar dimrin në një armë” duke bombarduar infrastrukturën civile të Ukrainës.

“Ajo që ne jemi të vendosur të bëjmë është të sigurojmë që ata të kenë në duart e tyre ndihmën e shumë partnerëve të tjerë në mbarë botën, pajisjet që u nevojiten për të mbrojtur veten, për të mbrojtur territorin e tyre dhe për të mbrojtur lirinë e tyre”, theksoi Blinken.

Ekspertët besojnë se Ukraina hyri në hapësirën ajrore ruse me dronët e epokës sovjetike dhe jo me miliarda dollarë ndihma ushtarake të dhëna nga fuqitë perëndimore, që kur Rusia pushtoi territorin ukrainas më 24 shkurt.

I pyetur më herët në lidhje me këto operacione, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price ishte i kujdesshëm që të mos ia atribuonte sulmet e fundit me dron Kievit, i cili nuk mori përgjegjësinë për to.

Rusia ka raportuar tre të vdekur dhe dy avionë të dëmtuar në një sulm të tillë që synonte bazat në territorin e saj.

“Ne po i ofrojmë Ukrainës atë që duhet të përdoret në territorin e saj sovran, në tokën ukrainase, për t’u përballur me agresorin rus”, tha Ned Price.

Edhe presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë publikisht se ai nuk e inkurajon Ukrainën që të blejë raketa me rreze të gjatë veprimi, nga frika e një përshkallëzimi që mund të bëjë që SHBA të luajnë një rol më të drejtpërdrejtë kundër Rusisë./ /ai/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like