FOKUS – Biden: SHBA-ja nuk do të njohë kurrë referendumin rus në Ukrainë

by admin
Spread the love

UASHINGTON, 30 shtator /ATSH-AA/ – Presidenti i SHBA-së, Joe Biden të enjten reagoi kundër referendumeve të diskutueshme të Rusisë në Ukrainë, duke thënë se Washingtoni nuk do ta njohë kurrë aneksimin e pjesëve të Ukrainës nga Moska.

Duke folur në një program në Shtëpinë e Bardhë, ku morën pjesë edhe liderët e vendeve të Paqësorit, Biden e quajti këtë veprim të turpshëm, duke deklaruar se dëshiron të bëjë të qartë se SHBA-ja nuk do t’i njohë kurrë pretendimet e Rusisë ndaj territorit sovran të Ukrainës.

“Ky referendum i ashtuquajtur është i turpshëm. Rezultatet janë prodhuar në Moskë ndërkaq vullneti i vërtetë i popullit ukrainas është i dukshëm çdo ditë, ndërsa ata sakrifikojnë jetën e tyre për të shpëtuar popullin e tyre, për të ruajtur pavarësinë e vendit dhe për të mbrojtur lirinë”, tha Biden.

Ai beson se lufta ruse kundër Ukrainës, për të cilën ai beson se është pjesë e ambicieve imperialiste të presidentit rus Vladimir Putin, është një shkelje e qartë e Kartës së OKB-së.

Rajonet separatiste të Ukrainës, Donetsk dhe Lugansk si dhe pjesët Zaporizhzhia dhe Kherson të kontrolluara nga Rusia, mbajtën referendume për bashkim me Rusinë nga 23 deri më 27 shtator.

Moska pretendon se 98 për qind e votuesve u përcaktuan për t’u bashkuar me Rusinë ndërsa Ukraina dhe Perëndimi i kundërshtojnë rezultatet. Referendumi u dënua edhe nga komuniteti ndërkombëtar.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like