FOKUS – BE zgjat kohën e sanksioneve ekonomike kundër Rusisë

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 27 korrik /ATSH-AA/ – Bashkimi Evropian zgjati edhe për gjashtë muaj të tjerë sanksionet ekonomike të vendosura ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë.

Këshilli i Bashkimit Evropian njoftoi se masat restriktive që synojnë sektorë të caktuar të ekonomisë së Federatës Ruse mbeten në fuqi deri më 31 janar 2023.

Sanksionet përfshijnë ndalimin e importit të arit, naftës dhe qymyrit, ndalimin e eksportit të mallrave luksoze, kufizimet në tregtinë e teknologjisë dhe mallrave me përdorim të dyfishtë dhe përjashtimin e bankave ruse dhe bjelloruse nga përdorimi i sistemit të pagesave ndërkombëtare SWIFT.

BE-ja ka vendosur sanksione që nga viti 2014 për shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, të cilat u zgjeruan ndjeshëm pas fillimit të luftës në shkurt.

Që atëherë, BE-ja ka miratuar gjithsej shtatë pako sanksionesh kundër Rusisë, përfshirë sanksionet ekonomike dhe ka zgjeruar listën e zezë duke vendosur ndalime të udhëtimit dhe ngrirje të aseteve të personave që llogariten përgjegjës për luftën.

BE-ja ka një regjim të veçantë sanksionesh për aneksimin e paligjshëm të Sevastopolit dhe Krimesë.

Brukseli i bëri thirrje Moskës t’i japë fund “operacionit të saj special ushtarak” në Ukrainë, duke i ofruar Kievit mbështetje ekonomike, ushtarake dhe humanitare./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like