BRUKSEL, 20 korrik /ATSH-DPA/ – Komisioni Evropian ka propozuar futjen e objektivave të detyrueshme të kursimit të gazit për të gjitha vendet anëtare të BE-së nëse furnizimet përkeqësohen në një nivel krize, në një plan emergjence dimërore të prezantuar sot.
“Ne duhet të përgatitemi për një mbyllje të mundshme totale të gazit rus dhe ky është një skenar i mundshëm”, theksoi Ursula von der Leyen, në një konferencë për shtyp në Bruksel.
Në rast të një emergjence gazi në bllok, krahu ekzekutiv i BE-së dëshiron të vendosë objektiva të detyrueshme për të detyruar vendet anëtare të BE-së të kursejnë gazin nëse masat vullnetare konsiderohen të pamjaftueshme.
Ekzekutivi i BE-së u kërkon shteteve anëtare të reduktojnë vullnetarisht konsumin e tyre të gazit midis 1 gushtit 2022 dhe 31 marsit 2023 me të paktën 15% krahasuar me nivelet mesatare të konsumit gjatë pesë viteve të fundit.
Të 27 vendet e BE-së tani do të rishikojnë planin e Komisionit.
Për të miratuar propozimin kërkohet një shumicë e cilësuar prej 15 anëtarësh, ose vende të BE-së që përfaqësojnë të paktën 65% të popullsisë së bllokut./ /os/