FOKUS – 1 000 ditë pas ndalimit, UNICEF-i u kërkon talebanëve që të lënë vajzat të studiojnë

by admin
Spread the love

KABUL, 13 qershor /ATSH-DPA/ – Pas 1 000 ditëve që kur vajzat u ndaluan nga shkollat e mesme në Afganistan, një zyrtare e lartë në UNICEF, agjencia e Kombeve të Bashkuara për fëmijët, përdori momentin historik për t’i nxitur talebanët që t’i lejojnë vajzat të kthehen në shkollë.

“Për 1,5 milionë vajza, ky përjashtim sistematik nuk është vetëm një shkelje e qartë e të drejtës së tyre për arsimim, por gjithashtu rezulton në zvogëlimin e mundësive dhe përkeqësim të shëndetit mendor”, theksoi drejtoresha e UNICEF-it, Catherine Russell.

Deklarata nënvizon pasojat e gjera të ndalimit, të cilat shkojnë përtej humbjes së menjëhershme të arsimit.

“Kjo e përkeqëson krizën e vazhdueshme humanitare dhe ka pasoja serioze për ekonominë dhe rrugën e zhvillimit të Afganistanit”, shtohet në deklaratë.

Russell bëri thirrje që vajzat të kthehen në shkollë, duke nënvizuar faktin se asnjë vend nuk mund të ecë përpara nëse gjysma e popullsisë mbetet pas.

“I bëj thirrje autoriteteve që të lejojnë të gjithë fëmijët të kthehen në shkollë dhe i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të qëndrojë i angazhuar dhe të mbështesë këto vajza, të cilat kanë nevojë për ne më shumë se kurrë’’, thekson ajo./   /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like