Fjalimi i Kurtit në mbledhjen e sotme

by admin
Spread the love

Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, e cila është e 50-ta deri më tani.

Në këtë mbledhje, Kurti tha se gjendja me COVID-19 në Kosovë është relativisht e qetë.

“Reagimi i shpejtë, adekuat, i balansuar dhe me kohë ndaj situatës në vend dhe duke e përcjell me vëmendje situatën në vendet tjera na ka mundësuar që të mbajmë hapur ekonominë dhe aktivitete të tjera të cilat më tej e mbajnë gjallë jetën kulturore e sportive, por edhe ndihmojnë në largimin e pasojave dhe ankthit të shkaktuar nga pandemia e gjatë e ndjenja e izolimit”, tha ai

Fjala e kryeministrit Kurti në mbledhjen e 50-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës

Prishtinë, 23 dhjetor 2021

Të dashur qytetarë,
Të nderuar anëtarë të kabinetit Qeveritar,

Mirë se ju gjej në mbledhjen e 50-të, që është mbledhja e rregullt e parafundit e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2021.

Para 9 muajve, pikërisht me 23 mars të këtij viti, e morëm detyrën si qeveri e re pas zgjedhjeve historike të 14 shkurtit.
Ajo që gjetëm ishte një situatë e rënduar me pandeminë dhe një ekonomi e stagnuar që nuk jepte shpresë për zhvillim.

Gjetëm zero vaksina, zero kontrata për vaksina dhe zero negociata për kontrata e pas 9 muajve kemi mbushur premtimin për vaksinim të mbi 60% të popullsisë së vaksinueshme brenda vitit sipas parashikimeve të atëhershme. Sot kemi 1.65 milionë doza të administruara, ku 48.6% të popullsisë së përgjithshme janë vaksinuar me të paktën një dozë, ndërkaq  43.2% me dy doza, si dhe kemi filluar dhënien e dozës përforcuese, e dozës së tretë.

Pra edhe pse e filluam të fundit dhe e gjetëm më së keqi, sot Kosova është prijëse në rajon me shkallën e vaksinimit dhe shembull i reagimit ndaj pandemisë, krejt kjo falë punës së mirë të Qeverisë dhe menaxhimit të suksesshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe mjekëve e infermiereve, stafit mbështetës e vullnetarëve tanë, të cilëve u jemi falënderues e mirënjohjes përjetësisht.

Sot kemi gjithashtu situatë relativisht të qetë me COVID-19, e cila kur krahasohet me gjendjen në shtetet në rajon e me shtete tjera, vie në pah kontrasti me menaxhimin e saj.

Nga mesatarja javore prej 773 raste ditore sa i kishim në 23 mars, pra para 9 muajve, sot kemi një mesatare javore prej 9 rasteve ditore të reja në ditë dhe me 322 raste aktive nga 12.808 sa kishim në 23 mars. Po ashtu numri i vdekjeve është më i ulët me një mesatare javore prej 1 e nga njëherë 0 vdekje si rezultat i COVID-19. Por, çdo humbje jete në betejën me COVID-19 është humbje e madhe për bashkë-familjarët dhe të gjithë ne. Në emër të qeverisë shpreh ngushëllimet më të sinqerta për të gjithë jetët e humbura nga kjo sëmundje gjatë këtij vit, duke uruar që njerëzimi të mposhtë këtë pandemi sa më parë e duke punuar që efektet e saj te ne të jenë sa më të pakta.

Reagimi i shpejtë, adekuat, i balansuar dhe me kohë ndaj situatës në vend dhe duke e përcjell me vëmendje situatën në vendet tjera na ka mundësuar që të mbajmë hapur ekonominë dhe aktivitete të tjera të cilat më tej e mbajnë gjallë jetën kulturore e sportive, por edhe ndihmojnë në largimin e pasojave dhe ankthit të shkaktuar nga pandemia e gjatë e ndjenja e izolimit.

Tash kur e gjithë bota po kalon në një valë të re të COVID-19 me variantin e ri Omikron, ne duhet të jemi vigjilentë duke shtuar masat dhe kujdesin, por edhe duke u vaksinuar me të tri dozat për të siguruar se imuniteti jonë është i bollshëm për të parandaluar simptomat e rënda ose vdekjen.

Mërgata jonë tashmë ka filluar rrugëtimin e tyre për atdhe dhe ne i urojmë mirëseardhje të përzemërt. Ata janë bekim për vendin dhe ringjallje për ekonominë, por në këtë krizë të pandemisë ne pamë gjatë verës se me qarkullim masiv rritet probabiliteti që reagimi ndaj pandemisë të dalë nga kontrolli. Organizimet familjare dhe tubimet e ndryshme shumëfishohen, prandaj edhe kësaj here do të kemi kontroll të shtuar sepse na duhet kujdes i shtuar. Këto kontrolle e masa do të jenë në shërbim të ruajtjes së shëndetit publik.

Përkundër pandemisë dhe pasojave të saj, ky vit ka qenë një vit i suksesshëm për qytetarët tanë.

Në qeveri kemi punuar pa u ndalur duke mbajtur 50 mbledhje që kanë sjellë 434 vendime, prej tyre 106 projektligje – numri më i madh ndonjëherë i projektligjeve të miratuara në qeveri brenda vitit.

Si kurrë më parë, ekonomia jonë është kthyer drejt zhvillimit.
–          Para gjashtë dite kaluam në Kuvend buxhetin për vitin 2022 në vlerë prej 2 miliardë e 748 milionë euro, që përbënë buxhetin më të madh ndonjëherë me një rritje prej 12% krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar dhe 8.5% krahasuar me buxhetin e rishikuar të këtij mesviti.
–          Në tre mujorin e dytë të këtij viti kemi shënuar një rritje ekonomike prej 16.3%. Pak minuta më parë Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat e fundit sa i përket rritjes ekonomike. Me këto të dhëna,  sërish po tregohet që ekonomia vendore po përformon mjaft mire, duke shënuar një rritje ekonomike prej 14.53% në tremujorin e tretë të këtij viti, kurse rritje ekonomike prej 12.1% në 9 mujorin e parë të vitit 2021. Vitin 2021, sipas projeksioneve të BQK-së, presim ta mbyllim me rritje ekonomike prej 9.9%, që përbënë rritjen më të madhe ekonomike që nga shpallja e pavarësisë.
–          Eksportet kosovare deri në muajin tetor të vitit 2021 janë në vlerë të 614 milionë euro dhe janë për mbi 60% më shumë se në vitin 2020 ( kur ishin 382.4 milionë euro) apo 91.2% më shumë se në vitin 2019 (kur ishin 321.2 milionë euro) dhe janë eksportet më të larta që nga shpallja e pavarësisë.
–          Investimet e huaja direkte, në nëntë (9) muajt e parë të viti janë në 388.9 milionë euro, që përbëjnë 80% ngritje krahasuar me mesataren e deritanishme. Po ashtu, viti 2021 është për 52.9% me më shumë investime se viti 2020 (254.3 milionë euro apo 79.7% më i lartë se viti 2019).
–          Kemi regjistruar mbi 10,000 vende të reja të punës.
–          Është iniciuar Fondi Sovran, përmes grupit punues që po e bën koncept dokumentin përkatës.
–          Kemi operacionalizuar 23 nga 26 masat, apo 88% të Pakos së Ringjalljes Ekonomike nga e cila deri më tani kanë përfituar gati 445 mijë qytetarë.
–          Me pakon e ringjalljes ekonomike kemi mbështetur familjet, punëtorët, bizneset, kulturën e sportin, pensionistët, përfituesit e skemave sociale, mërgatën, mjekët e infermierët, si dhe nënat lehona dhe fëmijët.
–          Zgjedhjet demokratike sollën legjitimitet e stabilitet institucional dhe shpresë për jetë më të mirë. Kjo rezultoi me rritje të shpenzimeve nga qytetarët dhe me pagesa të taksave. Si rezultat të hyrat nga ATK janë në vlerë të 552.5 milionë euro, një rritje prej 125.8 milionë euro apo 29.5% me shumë se periudha e njëjtë e vitit të kaluar. Të hyrat nga Dogana janë në vlerë të 1,238.8 milionë euro, që paraqet një rritje prej afro 32 % apo 300 milionë euro më shumë.
–          Janë emetuar me sukses Bono të Diasporës me dy maturitete (ato 3 vjeçare me 1.2% interes dhe 5 vjeçare me 2.2% interes). Vlera e financimit nga këto Bono ka arritur vlerën 10.43 milionë euro të cilat i dedikohen kredive investive për bizneset prodhuese dhe përpunuese të vendit.

Në drejtësi
–          Është avancuar korniza ligjore për luftimin e korrupsionit duke iniciuar një sër ligjesh sikurse ai  për Deklarimin e pasurisë së Zyrtarëve Publik, për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe Koncept Dokumenti për Zhvillimin e Vetingut në Sistemin e Drejtësisë.

Në luftimin e korrupsionit
–          Janë zhvilluar 509 operacione policore, 893 bastisje dhe janë goditur 42 grupe kriminale.
–          Janë sekuestruar rreth 894 kg drogë dhe rreth 7 milionë euro nga veprimtaritë kriminale.
–          Është luftuar kontrabanda dhe krimi i organizuar në tërë territorin e Republikës që ka rezultuar me arrestime dhe konfiskime. Janë iniciuar në total  1111 raste, prej tyre ku janë hetuar 1,780 persona të dyshuar, janë arrestuar 1,130 prej tyre dhe janë ushtruar 799 kallëzime penale.
–          Është ndalur keqpërdorimi i 43 milionë eurove në shpronësime për segmentin Klinë-Kijevë-Zahaq, projekti i autostradës Prishtinë-Pejë, dhe rasti është dërguar në Prokurorinë Speciale.
–          Doganat kanë luftuar korrupsionin në kufi duke mos lejuar futjen e mallrave të kontrabanduara që edhe pasurojnë kriminelët, grupet e individët e lidhur me ta, por edhe dëmtojnë buxhetin duke i ikur tatimit si dhe dëmtojnë bizneset duke prishur konkurrencën.
–          Kemi ndërmarrë reforma në administratë që hedhin hapat për një administratë profesionale me njerëz kompetent përmes rekrutimit të niveleve të larta nëpër institucione publike që përfshinë, Sekretarë të Përgjithshëm të Ministrive, Anëtarë Bordi dhe Drejtorë Ekzekutiv të Agjencive publike.
–          Kemi larguar detyrimin për pagesën prej 100 euro për homologimin e automjeteve, duke kursyer miliona euro nga zhvatja që i bëhej qytetarëve.
–          Është rihapur terminali doganor i “Trepçës”, që shënon hapin e parë drejt heqjes së monopolit kalimit të të gjitha terminaleve doganore në prona publike.
–          E punët i kemi bërë në dritën e diellit e para qytetarëve. Nga 441 kërkesa nga qytetarët dhe mediat për qasje në dokumente publike, janë përgjigjur në 406 sosh apo 92% dhe kemi mbajtur mbi 120 konferenca për media, që i bije përafërsisht nga një konferencë çdo të dytën ditë.

Në politikën e jashtme
–          Kemi filluar de-partizimin dhe reformimin duke krijuar sistem të meritokracisë që hapë rrugën për diplomatë të karrierës, por edhe profesionistë të cilët njëmend njohin politikën e jashtme dhe përfaqësojnë denjësisht Republikën.
–          Në këtë drejtim kemi emëruar ambasadorë të rinj ku është bërë e mundur që nga të gjithë shefat e misioneve, ¾ të jenë  diplomatë karriere, dhe vetëm ¼ të emëruar sipas çelësit politik.
–          Në fushën e zbatimit të rekomandimeve të BE-së kemi themeluar Strukturat Koordinuese Ndërinstitucionale për Procesin e Integrimit Evropian; është rishikuar dhe miratuar Plani Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit 2021- 2025, është rishikuar dhe miratuar Plani i Veprimit të Agjendës për Reforma Evropiane ERA II dhe kemi nisur një sërë reformash që ishin pjesë e rekomandimeve të Bashkimit Evropian për shumë vite, por që nuk ishin zbatuar. Po ashtu, këtë vit, në përputhje me reformat e brendshme dhe në realizim të perspektivës për anëtarësim në BE, ne bëmë të ditur se vitin që vjen Kosova do të bëjë aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në fushën e mbrojtjes
–          Kemi zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin ndërkombëtar përmes nënshkrimit të Marrëveshjeve të Mirëkuptimit me Ministritë e Mbrojtjes së: Mbretërisë së Bashkuar, Kroacisë, Letonisë. Poashtu kemi nënshkruar Marrëveshje të Statusit të Forcave (SOFA) me: Kuvajtin dhe Maqedoninë e Veriut.
–          Kemi ndarë buxhet shtesë prej (mbi 32 milionë) që nga fillimi i mandatit dhe për vitin 2022 kemi ndarë 100 milionë euro për FSK-në që është buxheti më i lartë që është ndonjëherë për Ministrinë e Mbrojtjes, 67% më i lartë sesa buxheti i vitit të kaluar.
–          Kemi rritur kapacitetet mbrojtëse me 55 autoblinda (ASV), blerje të pajisjeve ushtarake; rekrutimin e 400 rekrutëve të rinj dhe jemi në proces të rekrutimit edhe të 840 rekruteve të ri, që në total i bie që Kosovës i shtohen 1,240 ushtarë të rinj.
–          Kemi marrë pjesë në ndërmarrjen më të madhe ushtarake të NATO-s Defender Europe 21, në mesin e 27 shteteve, ku ne madje ishim në mesin e 16 shteteve nikoqire me gjithsej 330 ushtarë tanë pjesëmarrës.
–          Kemi dërguar dhe përmbyllur suksesshëm misionin e parë të bashkë-zbarkimit të FSK-së në Kuvajt bashkë me ushtrinë Amerikane si dhe për vitin që vjen planifikojmë bashkë-zbarkime të reja.

Ministria e Punëve të Brendshme
–          Ka punuar në rritjen e transparencës dhe integritetit në rekrutimin e pozitave të nivelit të lartë drejtues të nëpunësve civilë.
–          Këshilli Shtetëror për Pranim, pas një trajnimi të ofruar nga përfaqësuesit e Ambasadës Britanike, ka filluar punën intensive për rekrutimin e pozitave të nivelit të lartë drejtues të nëpunësve civilë. Ky proces është duke u monitoruar ngushtë nga përfaqësuesit e Ambasadës Britanike.
–          Pas kërkesës zyrtare nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe NATO-s për strehim të përkohshëm të shtetasve afganë Qeveria e Kosovës ka nxjerr dy vendime për  mbrojtje të përkohshme për qytetarët afganë dhe familjarët e tyre që kanë punuar në Qeverinë Amerikane dhe/apo kanë qenë kontraktorë të NATO-s. Me këtë rast, Republika e Kosovës ka realizuar me sukses operacionin për strehimin e 1341 qytetarëve të evakuuar, ndërsa tani më mbi 1000  prej tyre e kanë lëshuar Kosovën.
–          Në shtator ka filluar aplikimi i reciprocitetit në targa me Serbinë i cili është ende në fuqi dhe në vazhdimësi do të identifikohen fusha të tjera të reciprocitetit në përputhje me përgatitjet e brendshme për zbatuar atë me sukses.

Ministria e Ekonomisë
–          Ka filluar hartimin e strategjisë së energjisë 2022-2031
–          Si pasojë e krizës energjetike globale është themeluar Task Forca për Masat në Rast të Emergjencave Energjetike.
–          Janë përfunduar auditimet dhe dizajnet për 74 projekte të efiçiencës së energjisë në 25 komuna të Kosovës.
§  Janë emëruar Bordet e Përkohshme të Drejtorëve në:
1.      KRU Bifurkacioni sh.a Ferizaj;
2.      KRU Hidroregjioni jugor sh.a Prizren;
3.      KRU Prishtina Sh..A.;
4.      KRU.Gjakova Sh.A.;
5.      KRU. Mitrovica Sh.A.;
6.      NP.KEK Sh.A.;
7.      NP Posta E Kosovës Sh.A.;
8.      NP.Infrakos Sh.A.;
9.      NP Telekomi Sh.A.;
10.  NP Trepça
–          Është shkarkuar Bordi i rregullt dhe është emëruar Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve në  KRU Hidrodrini sh.a, Pejë.
–          Është bërë plotësim-ndryshimi i Vendimit nr.12/17 i datës 25.06.2021 për emërimin e Bordit të Drejtorëve të NH Ibër Lepenc SH.A.

Në fushën e arsimit
–          Për herë të parë kemi bërë edukimin FALAS në të gjitha nivelet në sektorin publik.
–          2,153 mësimdhënës janë pajisur me licencë të karrierës.
–          Kemi filluar investimet në çerdhe në funksionalizimin e shkollave me hapësira funksioale.
–          Kemi ndarë 500 bursa për nxënësit e shkollave të mesme të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptian.
–          Janë themeluar edhe 5 Qendra të Karrierës duke dërguar numrin gjithsej në 15.
–          Për arsimin e lartë kemi ndarë 1,799 bursa për studentë elitar që studiojnë në institucionet publike të arsimit të lartë në vlerë prej 700 € (vlera totale e ndarë nga MAShTI është 1,259,300 €). Gjithashtu, MAShTI ka ofruar përkrahje për bursat STEM në shumë prej 1,000,000 € (gjithsej 812 përfitues) si dhe është themeluar Këshilli Kombëtar i Shkencës.
–          Kemi nënshkruar marrëveshje me Komisionin Evropian për statusin e asociuar të Kosovës në programin HORIZON.

Në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit
Kemi pasur një vit të jashtëzakonshëm me arritje të sportistëve e artistëve tanë që kanë lartësuar shtetin dhe na kanë bërë krenar të gjithëve. Një kujtim ky për përkrahjen në rritje e të vazhdueshme të qeverisë sonë për vitet në vijim.
–          Këtë vit kemi themeluar Institucionin e Operës së Kosovës
–          E për herë të parë kemi themeluar Komisionin Shtetëror për Rini
–          Kemi dyfishuar fondin për Trashëgiminë kulturore në rrezik duke filluar ndërhyrjet emergjente në 30 asete që janë të rrezikuara.
–          Pas shumë vite të premtimeve, në javën që vjen do të fillojnë ndërhyrjet në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz.
–          Kemi mbështetur ndërtimin e renovimin e palestrave sportive, dhe kemi subvencionuar me mbi 5.5 milionë euro artin dhe kulturën

Në infrastrukturë
–          Kemi nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit për linjën hekurudhore Prishtinë – Durrës.
–          Është bërë rehabilitimi i rrugëve regjionale që lidhen me Brezovicën dhe zgjerimi i Pistës në Aeroportin e Prishtinës, pastaj
–          Është iniciuar projekti ideor për Rrugën Prizren – Tetovë.
–          Është bërë Hartimi i Strategjisë (2021-2030) dhe Planit të Veprimit (2021-2023) për menaxhimin e integruar të mbeturinave në Kosovë.

Në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural
–          Janë realizuar ne kuadër te Programit për Pagesa Direkte – Subvencione për vitin 2021 në vlerë prej rreth 21 milionë EUR
–          Janë luftuar keqpërdorimet duke marrë masa konkrete sikurse: Themelimi i Task Forcës për Verifikimin e Lëndëve të Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike 2020.
Dhe organet e rendit dhe ligjit kanë arrestuar 23 zyrtarë për keqpërdorime në Ministri.
–          Kemi ndarë mbi 70 milionë euro për fermerët, çka shënon përkrahjen më të madhe ndonjëherë brenda një viti fiskal.
–          Janë miratuar në qeveri 22 ligje që rregullojnë politikat kombëtare për bujqësinë dhe zhvillimin rural, vendosjen e kritereve për mbështetje financiare,  vendosjen e standardeve të cilësisë, mbështetjen institucionale dhe forcimin e masave të kontrollit administrativ në zbatim të masave të politikave bujqësore.

Në industri, ndërmarrësi dhe tregti
–          Janë miratuar një sërë projektligjesh e ligjesh për inspektime, për metale të çmuara, për tregti me produkte të naftës dhe karburante të ripërtëritshme, për tregti të jashtme, për konkurrencë, turizëm, për Sekretet Tregtare, për Patenta, për Marka Tregtare etj.
–          Në mbrojtje të prodhimit vendor e të konsumatorëve janë marrë masa mbrojtëse antidamping.
–          Në bashkëpunim me projektin CETEP, janë dhënë 9 grante për certifikim të produkteve me standardet relevante. Po ashtu janë ndarë 500,000 EUR për të mbështetur bizneset për blerjen e makinerive të prodhimit, 2 mil. EUR për mbështetjen e bizneseve në ngritjen e kapaciteteve profesionale, si dhe 1,150,000 EUR për përkrahje të projekteve Inovative.
–          Gjithashtu gjatë këtij viti përmes projektit digjitalizimi I NVM janë përkrahur 50 biznese, derisa përmes granteve për blerjen e makinerive prodhuese janë shpallur listat preliminare me 32 biznese.

Kemi mbështetur gratë. Janë përkrahur 273 biznese të vogla në pronësi të grave dhe 3 OJQ  të specializuara në ofrimin e shërbimeve për këshillim dhe trajtim të dhunuesve me qëllim të parandalimit.

Kemi mbështetur personat me aftësi të kufizuara
–          Është funksionalizuar Grupi Koordinues Ndërministror për të Drejtat e Njeriut dhe Këshilli për të Drejtat e Personave me aftësi të kufizuara.
–          Janë trajnuar ekipet vlerësuese pedagogjike për përdorimin e instrumentit për vlerësimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara (gjithsej 150 anëtarë të trajnuar).
–          Janë përzgjedhur 8 organizata përfituese të granteve të cilët do t’i përkrahin nxënësit me aftësi të kufizuara dhe ata që kanë nevojë për përkrahje psiko-sociale. Vitin 2022 e kemi shpallur vitin e personave me aftësi të kufizuara.

Po përfundon një vit i sfidueshëm për të gjithë ne. Pandemia ka rënduar mbi supet e secilit prej nesh. E derisa mbyllim këtë vit me shumë arritje në shumë sektor kujtojmë që për shumë qytetarë të cilët me dekada janë harruar nga politika, jeta mbetet ende e vështirë. Prandaj edhe nuk harrojmë dot arsyen se përse ne jemi këtu. Nuk harrojmë dot qëllimin e rrugëtimit që kemi filluar nga 14 shkurti për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë e më të barabartë, për të investuar në edukimin e fëmijëve tanë dhe për të hapur një epokë të re të qeverisjes ku dija, puna e fitimi me djersë vlerësohen, ku secili jep maksimumin e saj e të tij për të arritur suksesin që meritojmë.
Le të frymëzohemi nga Majlinda, Distria e Nora e nga Toni. Por edhe nga suksesi i kinemasë tonë me filmat sikurse “Zgjoi” e “Shok”…
Nëse kemi përkushtimin dhe dedikimin e nevojshëm, nëse punojmë me dije e integritet e me qëllimet më të mira për vendin s’ka sukses që nuk e arrijmë e trofe që nuk e fitojmë.
Ndonëse ndodhemi në një krizë të vështirë energjetike po bëjmë gjithë çfarë mundemi e krejt çfarë dimë që të dalim më sa më pak humbje e dëme prej saj.
Ndërkaq ata që për dështimet e tyre për dekada kërkojnë llogari nga ne  që sot shënojnë nëntë muaj në qeveri duhet të shohin vetën në pasqyrë. Zëri i tyre i lartë i propagandës nuk duhet të turbullojë zërin tonë të arsyes.
Të dashur qytetarë,
Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar,
Një vit i ri e një dekadë e re shtrihet para nesh. Le të shtyjmë vetën përpara duke u bërë shembull për fëmijët tanë. Qeveria që kemi zgjedhur nuk heq dorë nga suksesi. Unë nuk heq dorë nga ndryshimi të cilin e kemi filluar.
E ardhmja jonë është e ndritshme e rrugëtimi ynë është i përbashkët.
Ju faleminderit.

You may also like