FISHE TEKNIKE – Zhvillimet më të rëndësishme të vitit 2023 në Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Kosovë

by admin
Spread the love

TIRANE, 30 dhjetor /ATSH-AA/ – Tensionet në veri të Kosovës, reagimi i institucioneve pas tërmeteve shkatërruese në Turqi, aktivitetet rreth proceseve integruese në organizatat evropiane, samitet dhe forumet e mbajtura në Maqedoni të Veriut, Kosovë dhe Shqipëri gjatë vitit 2023, janë ndër temat kryesore që karakterizuan këtë vit.

Këto janë disa nga zhvillimet më të rëndësishme në tre vendet e rajonit që shënuan vitin 2023.

Shqipëri

9 janar – Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) prezantoi trajnerin e ri të Kombëtares së Shqipërisë në Futboll, brazilianin Sylvio Mendes Campos Júnior, i njohur për publikun si Sylvinho, i cili zëvendësoi trajnerin Edoardo Reja.

11 shkurt – Në Shqipëri u mbajt një protestë antiqeveritare “për mbrojtjen e votës së lirë”, me thirrjen e partisë më të madhe të opozitës, Partisë Demokratike dhe me mbështetjen e partive të tjera opozitare, ndërkohë gjatë protestës u shënuan edhe incidente, ku protestuesit kanë hedhur tymuese dhe molotov në drejtim të policisë dhe selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë. Në shkurt dhe mars u organizuan edhe disa protesta të tjera antiqeveritare.

13 shkurt – Në Shqipëri u shpall ditë zie kombëtare, në nderim të viktimave të tërmeteve shkatërrimtare dhe në shenjë solidariteti me Türkiye-n, ndërkohë flamuri shqiptar u ul në gjysmështizë nëpër institucionet e vendit.

3 prill – Gjykata e Lartë e Shqipërisë vendosi mospranimin e ankesës të paraqitur nga themeluesi i platformës Thodex, Faruk Fatih Özer, i cili kundërshtonte vendimin që lejon ekstradimin e tij në shtetin turk, ndërkohë më 20 prill Özer u ekstradua nga Shqipëria në Türkiye.

12 maj – Policia e Shqipërisë arrestoi kandidatin e disa partive opozitare për kryetar të Bashkisë Himarë, në Qarkun e Vlorës, Alfred Beleri, së bashku me një person tjetër, të akuzuar për veprën penale “korrupsioni aktiv në zgjedhje”. Arrestimi i Belerit i cili njihet si pjesëtar i minoritetit grek dhe i cili rezultoi fitues në zgjedhjet e 14 majit, shkaktoi reagime në Shqipëri dhe Greqi.

14 maj – Në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet vendore, ku qytetarët me të drejtë vote votuan për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiakë në gjithë vendin. Zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore në Shqipëri zhvillohen për të zgjedhur 61 kryetarë të bashkive dhe 1.603 anëtarë të këshillave bashkiakë në gjithë vendin.

20 qershor – Policia e Shqipërisë organizoi kontrolle në zyrat dhe ambientet e tjera në kampin anëtarëve të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), në Manëz të Qarkut të Durrësit, ndërkohë kontrollet u shoqëruan edhe me incidente dhe përplasje.

14 korrik – Kuvendi i Shqipërisë miratoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e Shqipërisë mbi lejimin e arrestimit të ish-zëvendëskryeministrit të Shqipërisë, Arben Ahmetaj, i cili po hetohet për disa vepra penale në lidhje me kontratat e koncensionit mbi ndërtimin dhe administrimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve.

7 gusht – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë (KQZ) shpalli rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023, ku fituese rezultoi partia në pushtet, Partia Socialiste e Shqipërisë. Partia Socialiste fitoi 53 bashki, koalicioni i partive opozitare “Bashkë Fitojmë” fitoi në 7 bashki dhe një bashki Partia Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen.

4-5 shtator – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërkohë u prit me ceremoni shtetërore nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe u takua edhe me zyrtarë të tjerë të lartë të vendit.

11 shtator – Kuvendi i Shqipërisë miratoi ndryshimet në kabinetin qeveritar të Shqipërisë, të cilat u propozuan nga kryeministri Edi Rama.

18 shtator – Në Shqipëri filloi zyrtarisht “Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023”, që u realizua nën organizimin e Institutit të Statistikave të Shqipërisë (INSTAT), ndërkohë ky proces përfundoi më 15 nëntor. Censi 2023 është censi i 12-të në historinë e Shqipërisë, ku i pari është zhvilluar në vitin 1923 dhe i fundit në vitin 2011.

19 tetor – Filluan tensionet dhe incidentet në Kuvendin e Shqipërisë, ku vazhduan në disa seanca gjatë muajit tetor, nëntor dhe dhjetor. Në seancat e bllokuara deputetët opozitarë nga Partia Demokratike dhe jashtë grupeve parlamentare, kanë hedhur tymuese në sallë, bllokuar foltoren me karrige dhe janë përplasur me punonjës të Gardës së Shqipërisë, pasi sipas tyre nuk respektohen të drejtat e tyre dhe nuk miratohen në Kuvend nismat dhe kërkesat e tyre.

6 tetor – U mbajt takimi i ministrave të Punëve të Jashtme të Procesit të Berlinit, me pjesëmarrjen e delegacioneve nga vendet e Ballkanit, Bashkimi Evropian (BE) dhe organizatat e ndryshme.

12 tetor – Kuvendi i Shqipërisë miratoi në një seancë të posaçme parlamentare rezolutën që shpreh përkrahjen për sovranitetin dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe institucioneve të saj kushtetuese, si dhe të përpjekjeve për mbrojtjen e vlerave demokratike, sigurisë dhe paqes në Kosovë dhe në rajon.

16 tetor – Në Tiranë u mbajt Samiti i Liderëve të Procesit të Berlinit, me pjesëmarrjen e liderëve të vendeve pjesëmarrëse në këtë proces. Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe dhënien e ndihmës për integrimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.

17 tetor – Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërkohë u takua me zyrtarë të lartë të vendit.

22 tetor – Në Shqipëri u organizua edicioni i shtatë i Maratonës së Tiranës, ku morën pjesë mijëra vrapues nga vende të ndryshme.

1-9 nëntor – U mbajt stërvitja e përbashkët e forcave speciale “Strong Balkan 23”, me pjesëmarrjen e ushtarakëve nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Turqi, Bosnjë e Hercegovina, Bullgaria, Greqia dhe Rumania.

17 nëntor – Kombëtarja e Shqipërisë në Futboll siguroi për herë të dytë në histori pjesëmarrjen në finalet e Kampionatit Evropian 2024, me ndeshjen ndaj Moldavisë. Në kuadër të ndeshjeve kualifikuese të Kampionatit Evropian EURO 2024, Kombëtarja e Shqipërisë ishte në Grupin E, së bashku me Poloninë, Republikën Çeke, Ishujt Faroe dhe Moldavinë.

23 nëntor – Në Tiranë u mbajt Samiti i tretë i Diasporës Shqiptare, nën kujdesin e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.

13 dhjetor – Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë vendosi të kalojë në shqyrtim kërkesën e deputetëve të opozitës mbi “Protokollin ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”, duke pezulluar procedurat e ratifikimit në Kuvend.

15 dhjetor – U shënua 100-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Türkiyes, pasi më 15 dhjetor të vitit 1923 mes dy vendeve u nënshkrua Traktati i Miqësisë, ndërsa dy vendet publikuan një deklaratë të përbashkët ku theksohej se “Marrëdhëniet Shqipëri-Türkiye e marrin fuqinë e tyre nga historia e përbashkët dhe lidhjet e forta sociale dhe kulturore.”

21 dhjetor – Kuvendi i Shqipërisë miratoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK) për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurisë, i dyshuar sipas autoriteteve për korrupsion.

Maqedoni e Veriut

12 janar – Nën moton “Fjala është për njerëzit”, Maqedonia e Veriut mori zyrtarisht presidencën e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për vitin 2023.

31 janar – Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, si kryesues i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) para Këshillit të Atlantikut të Veriut të NATO-s në Bruksel prezantoi programin e Maqedonisë së Veriut si kryesuese e organizatës në vitin 2023.

06 shkurt – Institucionet qendrore dhe lokale të Maqedonisë së Veriut solidarizohen me Turqine, më vonë duke shpallur edhe ditë zie, pas tërmeteve katastrofike që goditën pjesën jugore të vendit, ku humbën jetën më shumë se 40 mijë njerëz.

01 mars – Në Shkup filloi ngjarje dyditore Forumi i Dytë Ekonomik, organizuar nga Forumi Ekonomik Delphi dhe Shoqata Helenike e Biznesit, ku morën pjesë përfaqësues të lartë nga politika, ekonomia, biznesi dhe teknologjia nga vendi, rajoni dhe më gjerë.

08 mars – Në praninë e ambasadorit turk, Hasan Mehmet Sekizkök dhe ambasadores amerikane, Angela Price Aggeler, në qeverinë e Maqedonisë së Veriut u nënshkrua kontratë nga përfaqësues të qeverisë dhe të konsorciumit turko-amerikan “Bechtel-Enka”për ndërtimin e seksioneve të korridoreve 8 dhe 10-D nga.

17 mars – Pas zhvillimit të takimit të 16-të të Këshillit të Stabilizimit dhe Asociimit midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, i cili për herë të parë u mbajt në Shkup, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe komisioneri i BE-së për zgjerim, Oliver Varhelyi, nga Shkupi bënë thirrje për arritjen e konsensusit të brendshëm politik në Maqedoninë e Veriut për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, në mënyrë që vendi të ecë përpara drejt integrimit të plotë në bllokun evropian.

18 mars – Maqedonia e Veriut ishte nikoqire e takimit të radhës të nivelit të lartë të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, i cili u zhvillua në Ohër me ndërmjetësimin e BE-së, ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nënshkruan një propozim-marrëveshje.

27 mars – Me një ceremoni qendrore në kazermën “Ilinden” në Shkup, ku u mbajtën ushtrime demonstruese të ushtrisë në prani të kreut shtetëror, përfaqësuesve më të lartë të ushtrisë dhe përfaqësuesve të trupit diplomatik, u shënua trevjetori i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO.

20 prill – Ministria e Punëve të Brendshme nëpërmjet një ceremonie të organizuar në Shkup shënoi fillimin zyrtar të operacionit të përbashkët të Agjencisë Evropiane për Menaxhimin e Kufijve të Jashtëm të Vendeve të BE-së (FRONTEX) në Maqedoninë e Veriut.

08 maj – Në Ohër të Maqedonisë së Veriut me një ceremoni solemne filloi Konferenca e 50-të Rajonale Evropiane e INTERPOL-it, ku për tre ditë ministra të brendshëm dhe shefa të policisë nga Evropa, zyrtarë të lartë të INTERPOL-it dhe ekspertë të sigurisë diskutuan ide për përmirësimin e sigurisë globale.

15 qershor – Në qytetin e Strugës filloi Forumi i Prespës për Dialog (FPD), me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë nga vendi dhe zyrtarëve të shumtë të rajonit dhe më gjerë nga bota. Ngjarja dyditore u mbajt dy ditë para shënimit të 5-vjetorit të Marrëveshjes së Prespës midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, me të cilin u zgjidh kontesti i emrit të vendit dhe u mundësua anëtarësimi në NATO.

11 shtator – Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, priti në Shkup presidentët e vendeve pjesëmarrëse në Procesin Bërdo-Brijuni, respektivisht presidentët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe presidentët e Kroacisë dhe Sllovenisë.

21 shtator – Ministrja e Kulturës e Maqedonisë së Veriut, Bisera Kostadinovska-Stojçevska, në një konferencë për media njoftoi përzgjedhjen e Shkupit nga Komisioni Evropian si Kryeqyteti Evropian i Kulturës për vitin 2028.

22 nëntor – Sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg, së bashku me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, pritën në një takim në Shkup kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, atë të Malit të Zi, Milojko Spajiq dhe presidentin e Kroavisë, Zoran Millanoviq.

30 nëntor – Në Shkup filloi takimi dyditor i Këshillit Ministerial të 30-të të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ku morën pjesë delegacionet e vendeve pjesëmarrëse.

Kosovë

6 janar – Dy persona të nacionalitetit serb, njëri i moshës 11 vjeç dhe tjetri 21 vjeç u plagosën në Komunën e Shterpcës. Për këtë rast Policia arrestoi një 33 vjeçar shqiptar, i dyshuar për shtënie ndaj tyre në një rrugë nga Shtërpca në drejtim të qytetit të Ferizajt.

11 janar – Dy nënoficerë kosovarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), rreshter shtabor Arben Kasumi dhe rreshter Besnik Ukshini diplomuan në Shkollën e lartë të Nënoficerëve në Republikën e Türkiye-s. Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, me këtë rast vlerësoi se është shtuar numri i nënoficerëve profesionist nga shkollat specialistike të vendeve partnere të Kosovës.

12 janar – Komiteti për Liritë qytetare, Drejtësi dhe Çështje të brendshme (LIBE) i Parlamentit Evropian, miratoi marrëveshjen për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

16 janar – Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), bashkë me delegacionet e Komiteteve Olimpike të Francës, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, nënshkroi memorandumin e bashkëpunimit “Balkan Cooperation 5”, në Prishtinë. Memorandumi do të vlejë deri në vitin 2028, ndërsa u bë e ditur se në të përfshihen çështje të ndryshme të bashkëpunimit para dhe pas Lojërave Olimpike “Paris 2024”.

4 shkurt – Xhudistja kosovare Distria Krasniqi fitoi medaljen e artë në Grand Slamin e Parisit. Xhudistja Distria Krasniqi ishte bartësja e parë në kategorinë deri 52 kilogram ndërsa në finale mposhti bartësen e dytë, hungarezën Reka Pupp.

6 shkurt – Pas tërmetit shkatërrues në Türkiye, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Qeveria e Kosovës autorizuan dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) për ndihmë Republikës së Türkiye-s në tejkalimin e pasojave. Gjithashtu edhe Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka bërë të ditur se ekipet e para mjekësore nga Kosova arritën gjatë ditës në zonat e prekura nga tërmeti në Türkiye për të ndihmuar të lënduarit si pasojë e termeteve. Përveç ndihmës nga institucionet kosovare, edhe qytetarët mblodhën ndihma financiare për të prekurit e tërmetit.

17 shkurt – Në kuadër të shënimit të 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, para Teatrit Kombëtar të Kosovës 1,133 fëmijë nga shkolla të ndryshme të Kosovës kanë bërë ndezjen e 1,133 qirinjve për të kujtuar aq fëmijë të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

22 shkurt – Për herë të parë në Serbi që nga hapja e Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd është shënuar përvjetori i pavarësisë së Kosovës. Me ftesë të ambasadorit, Jetish Jashari, në 15 vjetorin e pavarësisë së Kosovës përveç përfaqësuesve institucional e politik të Luginës së Preshevës, prezent ishin edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile në Beograd, e përfaqësues të misioneve diplomatike ndërkombëtare.

22 shkurt – Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), myftiu Naim Tërnava, është pritur në Ambasadën e Türkiyes në Kosovë nga ambasadori turk Sabri Tunç Angılı. Tërnava njoftoi për ndihmat e mbledhura nëpër xhamitë e Kosovës për të prekurit e tërmetit në Türkiye. Tërnava njoftoi se me këtë rast u mblodhën rreth 400 mijë e 500 euro nga besimtarët muslimanë.

27 shkurt – Zhvillohet takimi midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe shefit të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme (BE) Josep Borrell dhe të dërguarit special për dialogun, Miroslav Lajçak. Borrell tha se takimi përfundoi pa ndonjë marrëveshje pas diskutimit të propozimit evropian në normalizimin dhe stabilizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

9 mars – Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian (BE) në përbërje prej 27 vendeve të BE-së i ka dhënë dritën e gjelbër liberalizimit të vizave Kosovës. Vendimi është marrë në takimin e Këshillit të Punëve të Brendshme në Bruksel ku ministrat e BE-së e miratuan këtë vendim në lexim të parë, pa diskutime, pasi për këtë, kishte pasur pajtueshmëri në takimin e mëhershëm të përfaqësuesve të përhershëm të vendeve anëtare.

30 mars – Ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj dhe ai i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, kanë bërë të ditur se kanë përfunduar të gjitha procedurat për shpronësimin e tokave në në Babaj të Bokës në Gjakovë dhe në Aeroportin e Gjakovës me qëllim fillimin e zbatimit të projekteve strategjike për ushtrinë e Kosovës në këto dy zona. Dy projektet milionëshe u tha nga ministrat se po bëhen me synim të rritjes së kapaciteteve trajnuese të FSK-së për arsye strategjike.

3 prill – Fillon në Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë me seli në Hagë gjykimi ndaj Ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Ata u deklaruan në seancën e parë gjyqësore sërish të pafajshëm për akuzat ndaj tyre para trupit gjykues.

14 prill – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abzoviq nënshkruan marrëveshjen për shërbime ajrore midis dy qeverive. Kurti duke folur për marrëveshjen tha se ajo ofron mundësi të reja të zhvillimit të aviacionit civil, mundëson shkurtimin e rrugëve ajrore dhe të kohës së fluturimit për 15 minuta.

18 prill – Parlamenti Evropian (PE) miratoi vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës si hap i fundit në këtë proces. Me këtë vendim, pritjes së gjatë të qytetarëve të Kosovës i vjen fundi dhe konkretisht ata do të mund të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen nga 1 janari i vitit 2024.

23 prill – Mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në katër komunat veriore me shumicë serbe në veri, Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Serbët bojkotuan me shumicë pjesëmarrjen në këto zgjedhje nga të cilat u zgjodhën katër kryetarë shqiptarë.

2 maj – Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Aleksandër Vuçiq miratuan në Bruksel Deklaratën për të Zhdukurit. Qëllimi i saj është t’i jepet fund vuajtjeve të familjarëve të të zhdukurve dhe nxitja e pajtimit dhe paqes së qëndrueshme midis palëve. Kosova dhe Serbia sipas nënshkrimit të kësaj deklarate janë zotuar për trajtim të njëjtë të të gjithë të zhdukurve gjatë luftës së fundit në Kosovë derisa puna do të mbikëqyret nga një Komison i Përbashkët që do të kryesohet nga BE-ja dhe do të mbikëqyret nga Kryqi i Kuq.

25 maj – Betohen kryetarët e rinj të zgjedhur të tre komunave veriore me shumicë serbe në Kosovë, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq. Një javë më herët ishte betuar edhe kryetari i Mitrovicës së Veriut. Kryetarët e rinj u pritën të nesërmen me protesta nga serbët lokal dhe nevojitej shoqërimi i Policisë së Kosovës në mënyrë që kryetarët e komunave të hynë në ndërtesat e komunave. Protesta e serbëve lokalë në Zveçan eskaloi në dhunë, ku u dëgjuan edhe të shtëna armësh dhe shok bomba.

29 maj – Forcat e KFOR-it i shpërndanë protestuesit që ndodheshin para ndërtesës së komunës në Zveçan dhe ata u tërhoqën në rrugët përreth. Megjithatë, protestuesit vazhduan të gjuajnë nga rrugët anësore në drejtim të pjesëtarëve të KFOR-it. Pjesëtarët e KFOR-it rezistuan nga sulmet e protestuesve duke përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë ata, ndërsa u përdorën edhe shok-bomba. Protesta e serbëve lokalë po vazhdonte të mbahej edhe në Leposaviq dhe Zubin Potok nga 26 maji, kur u betuan kryetarët e rinj shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe.

5 qershor – Mbërrin në Kosovë një batalion prej 500 ushtarësh turq në kuadër të Misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR, me qëllim të mbështetjes së pjesëtarëve tjerë të KFOR-it për mënjanimin e eskalimit të situatës së sigurisë në Kosovë dhe ruajtjes së paqes.

9 qershor – KFOR-i njofton se nga protestat e dhunshme të serbëve lokalë në veri të Kosovës u lënduan në fillim 11 pjesëtarë të KFOR-it nga kontigjenti italian dhe 19 nga kontigjenti Hungarian dhe më vonë u shfaqën edhe disa të tjerë me lëndime më të lehta. Sipas zëdhënësit të KFOR-it, Andrea Gallieni, shumica e protestuesve dëshironin të protestonin në mënyrë paqësore, por, në mes tyre kishte edhe grupe kriminale që nxisnin veprime të dhunshme kundër forcave të KFOR-it.

11 qershor – Xhudistët kosovarë Uvejs Nesimi dhe Blin Kuka fituan dy medalje të arta në Kampionatin Ballkanik për Kadetë që u mbajt në Krushevë të Maqedonisë së Veriut më 10 dhe 11 qershor.

13 qershor – Shtyhet mbledhja e dy qeverive Kosovë-Shqipëri e planifikuar të mbahet më 14 qershor për shkak se kryeministri shqiptar Edi Rama nëpërmjet një konference për media kërkoi që ajo të mbahet në një moment më të favorshëm pas situatës tensionuese në veriun e vendit. Qeveria e Kosovës reagoi pas anulimit. Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, në këtë mbledhje do të duhej të nënshkrueshin 13 marrëveshje.

14 qershor – Kidnapohen nga autoritetet serbe tre zyrtarë policorë të Kosovës në lokacionin e njohur si Tresave/Bare pranë vijës kufitare të Kosovës me Serbinë. Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani deklaroi se “ka ndodhur një kidnapim klasik nga forcat serbe”. Ata u liruan më 26 qershor për t’u kthyer në Kosovë, pasi bashkësia ndërkombëtare i bëri thirrje Serbisë për një gjë të tillë.

21 qershor – Është mbajtur në Komunën e Drenasit ceremonia e hapjes së prodhimit të një prej prodhuesve më të mëdhenj evropianë të ferronikelit “NEWCO Ferronikeli”, e cila në qershor të vitit 2022 u ble nga konglomerati ndërkombëtar “Yıldırım” me bazë në Türkiye.

29 qershor – Qeveria e Kosovës shpalli terroriste organizatat “Mbrojtja Civile” dhe komponentja e saj “Brigada e Veriut” që veprojnë në komunat veriore me shumicë serbe në territorin e Kosovës.

4 korrik – Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) emëroi Primozh Glihan si trajner të ekipit kryesor të kombëtares kosovare në futboll.

12 korrik – Qeveria e Kosovës aprovoi dy nisma për lidhjen e Marrëveshjeve të Bashkëpunimit me Qeverinë e Türkiyesë për Bashkëpunim në Fushat Ushtarake të Trajnimeve, Teknikës dhe Shkencës dhe Marrëveshjes së Ministrisë së Mbrojtjes të Kosovës me Kryesinë e Shtabit të Përgjithshëm të Republikës së Türkiyes për Bashkëpunim në Trajnimin Ushtarak.

8 shtator – Kosova konfirmohet si organizatorja e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030, me vendim të Asamblesë së Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG).

24 shtator – Në orët e para në fshatin Banjskë të Zveçanit sulmohet dhe humb jetën në detyrë zyrtari policorë Afrim Bunjaku pas një sulmi nga një grup terrorist në veriun e Kosovës. Policia e Kosovës iu përgjigj këtij rasti dhe u nis me disa njësi të saj në drejtim të lokacionit ku ra Afrim Bunjaku, për të hasur më pas me një grup të armatosur rëndë të cilët rezistuan për disa orë në Manastirin e Banjskës dhe më pas arritën të arratiseshin në drejtim të territorit serb. Më vonë, Policia konfirmoi vrasjen e tre pjesëtarëve të grupit terrorist.

25 shtator – Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, prezantojnë në Mitrovicë armatimin e rëndë, automjetet dhe pajisjet tjera ushtarake të përdorura nga grupi terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës. Sveçla tha se bëhet fjalë për grupe të organizuara, financuara, të mbështetura në të gjitha mënyrat nga Aleksandër Vuçiq dhe instrumentet tjera shtetërore të Republikës së Serbisë.

2 tetor – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se bazuar në gjetjet e Policisë së Kosovës, sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë të Komunës së Zveçanit, ishte pjesë e planit për aneksimin e veriut të Kosovës nga Serbia. Kurti tha se ky sulm ishte koordinuar në 37 pozicione të dallueshme, ku sipas tij, do të pasonte krijimi i një korridori për të mundësuar furnizimin me armë dhe trupa nga Serbia.

6 tetor – Arrijnë në Kosovë 200 ushtarë britanikë në kuadër të KFOR-it. Dislokimi i trupave britanikë në Kosovë erdhi pas sulmit të dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator dhe rritjes së tensioneve në rajon.

10 tetor – Republika e Turqise mori komandën e trupave paqeruajtëse të Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR). Pozita udhëheqëse e këtij misioni iu dha komandantit të ri, Özkan Ulutaş nga Turqia.

11 tetor – Policia dhe Inspektorati Policor i Kosovës pranoi donacion prej shtatë dronëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, i ka cilësuar dronët si “burim jetik për organet e zbatimit të ligjit në Kosovë”.

13 tetor – Dhomat e specializuara të Kosovës në Hagë miratuan kërkesën për lirimin e parakohshëm të të akuzuarit Hysni Gucati ish-kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK). Më 14 dhjetor u lirua nga paraburgimi edhe ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj.

20 nëntor – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s zhvilloi vizitë zyrtare në Prishtinë, ai u prit nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, me të cilët bisedoi për rolin historik të NATO-s në Kosovë dhe kontributin e vazhdueshëm të misionit të KFOR-it për sigurinë dhe paqen në vend.

28 nëntor – Në Skenderaj shpaloset flamuri kombëtar shqiptar më i madh ndonjëherë me letër origami i bërë nga Arbnora Fejza-Idrizi në një stadium të mbyllur sportiv. Flamuri me 1,300 metra katrorë i përbërë nga 120 mijë letra origami u konfirmua nga Libri i Rekordeve “Guiness” si rekord i ri i llojit të vet.

16 dhjetor – Kosova merr katër medalje nga Kampionati i Hapur Evropian i Xhudos në Prishtinë. Xhudisti Akil Gjakova fitoi medaljen e artë, ndërsa Dardan Cena, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi fituan medalje të bronzta.   /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like