Filloi gjysmëvjetori i dytë, nxënësit ende me mungesë të një pjese të librave

by admin
Spread the love

Pas 23 ditësh pushim dimëror, sot vazhdon gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor 2022/2023. Pushimi dimëror ishte dashur të përfundonte më 18, por me vendim të Qeverisë ai u zgjat deri më 23 janar. Arsyeja e zgjatjes së pushimit, sipas sqarimeve nga MASh, ka qenë funksionaliteti i shkollave.

“Për një funksionim sa më të mirë të procesit, për faktin se data 18 janar është ditë e mërkurë, data 19 është ditë pushimi për shumicën e qytetarëve dhe data 20 është e premte, kemi vendosur që gjysmëvjetorin e dytë ta fillojmë të hënën. Gjithashtu, të plotësohen të gjitha 180 ditët e punës deri në fund të këtij semestri të dytë. Janë tre ditë pune dhe nuk shoh arsye që të ketë ndonjë problem”, tha javën e kaluar ministri Jeton Shaqiri.

Në fillim të gjysmëvjetorit të dytë, nxënësit e klasës së dytë do të marrin tekste nga matematika dhe shoqëria, njoftoi dje ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri.

Ai siguron se këtë vit do të ketë tekste për gjuhët e huaja për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, si pjesë e teksteve për arsimin e mesëm, dhe pothuajse të gjitha tekstet për arsimin e mesëm profesional do të jenë edhe në formë elektronike.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës, për shkak të sfidave të paraqitura me tekstet shkollore, ka konstatuar se ka nevojë për një ligj të ri dhe më të mirë për tekstet shkollore, i cili do të minimizojë mundësitë e gabimeve, vonesave dhe problemeve të ngjashme, dhe jam i bindur se shtatorin e ardhshëm disa nga problemet që u shfaqën do të jenë të së shkuarës dhe nuk do të përsëriten më. Edhe pse Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk është pjesë e procesit të miratimit të teksteve shkollore, shfrytëzoj rastin që ta informoj opinionin se po aktivizojmë të gjithë mekanizmat e mundshëm, në mënyrë që besimi i qytetarëve të jetë edhe më i madh”, tha Shaqiri.

Lidhur me pagat e stafit mësimdhënës në shkolla, ministri tha se vitin e kaluar ka pasur rritje rekord të pagave prej 15 për qind dhe se sindikatat janë duke diskutuar për miratimin e një marrëveshjeje të re kolektive.

“Vlerësoj që puna e mësimdhënësve edne nuk është shpërblyer, duke pasur parasysh inflacionin, prandaj jemi duke biseduar me sindikatat dhe po kërkojmë zgjidhje për një marrëveshje të re kolektive, e cila do të rrisë pagat në arsim”, tha Shaqiri.

Përndryshe, duke pasur parasysh se disa nga shkollat publike fillore dhe të mesme ende nuk e kanë shfrytëzuar avantazhin e furnizimit me energji elektrike të subvencionuar, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) ju bëri thirrje udhëheqësive të institucioneve arsimore dhe komunave si themelues të tyre ta realizojnë këtë mundësi. MASh në nëntor njoftoi se gjithsej 366 shkolla fillore komunale dhe 109 shkolla të mesme publike marrin mbështetje nga shteti për funksionim normal.

You may also like