Festime dhe ankth nga luftrat, ndërsa bota pret Vitin e Ri 2024

by admin
Spread the love

Sidnei në Australi dhe Oklandi në Zelandën e Re, ishin ndër qytetet e para të mëdha në botë që pritën vitin e ri 2024, me brohoritje dhe shfaqje spektakolare fishekzjarresh.

Në Okland, njerëzit e mbledhur për të festuar në qytetin me 1.7 milionë banorë brohoritën në mesnatë dhe ndoqën fishekzjarret pranë kullës më të lartë të vendit, Sky Tower.

Më shumë se 1 milion njerëz – një numër i barabartë me një në pesë banorë të Sidneit – ndoqën fishekzjarret nga bregu dhe nga varkat në port.

Luftrat e vazhdueshme në Ukrainë dhe Gazë, dhe tensionet e rritura në pjesë të botës, po ndikojnë tek pritja e Vitit të Ri në mënyra të ndryshme. Shumë qytete po vendosin masa shtesë sigurie dhe disa vende i anuluan festimet për Vitin e Ri.

Në Vatikan, Papa Françesku kujtoi vitin 2023 si një vit të shënuar mes vuajtjeve të kohës së luftës.

Gjatë bekimit të tij tradicional të së dielës nga një dritare me pamje nga Sheshi i Shën Pjetrit, ai u lut për “popullin e vuajtur ukrainas dhe popullsinë palestineze dhe izraelite, popullin sudanez dhe shumë të tjerë”.

Në Japoni, kambanat e tempujve ranë në të gjithë vendin ndërsa njerëzit u mblodhën në faltore dhe tempuj për të mirëpritur vitin e ri.

Në qytetin e Nju Jorkut, zyrtarët dhe organizatorët e festës thanë se ishin të përgatitur për të garantuar sigurinë e dhjetëra mijëra vizitorëve që pritet të mbushin Times Square në zemër të Manhatanit.

Mes protestave pothuajse të përditshme të ndezura nga lufta Izrael-Hamas në Gaza, policia e qytetit të Nju Jorkut tha se do të zgjeronte perimetrin e sigurisë rreth festës, për të shmangur demonstratat e mundshme.

Siguria është rritur edhe në qytetet evropiane. Në Francë, 90,000 forca policore u vendosën për të garantuar sigurinë, tha të premten shefja e zbulimit Céline Berthon. Prej tyre, 6,000 do të jenë në Paris, ku ministri i Brendshëm francez Gerald Darmanin tha se mbi 1.5 milion njerëz pritet të marrin pjesë në festimet në Champs-Elysees.

Ai tha se ekzistonte një “kërcënim shumë të lartë terrorist” pjesërisht për shkak të luftës Izrael-Hamas.

Në Berlin, rreth 4500 oficerë policie pritet të ruajnë rendin dhe të shmangin trazirat si një vit më parë.

Në Rusi, veprimet ushtarake të vendit në Ukrainë kanë lënë në hije festimet e fundvitit. Fishekzjarret dhe koncerti i zakonshëm në Sheshin e Kuq të Moskës u anuluan ashtu si vitin e kaluar./VOA


Top Channel

You may also like