Festa e elitës ruse të muzikës që zemëroi Putinin – Shqip

by admin
Spread the love

Reperi Nikolai Vasilyev u burgos për 15 ditë, të tjerëve iu anuluan kontratat nga sponsorët

Një reper, i cili mori pjesë në një festë të famshme në Moskë vetëm me një çorape për të fshehur modestinë e tij, është burgosur për 15 ditë, sponsorët e disa prej artistëve më të njohur rusë kanë prishur kontratat e tyre dhe presidenti Vladimir Putin raportohet të jetë i pakënaqur.

Një festë “pothuajse lakuriq” në një klub nate në Moskë e mbajtur në një kohë kur Rusia është e përfshirë në luftë me Ukrainën dhe autoritetet po nxisin një axhendë sociale gjithnjë e më konservatore, provokoi reagim jashtëzakonisht të shpejtë dhe të fuqishëm.

Reagimi i ashpër nga autoritetet, ligjvënësit dhe blogerët pro-Kremlinit, mediat shtetërore dhe grupet e Kishës Ortodokse kanë mbizotëruar titujt për ditë të tëra, duke zëvendësuar lajmet rreth rritjes së çmimit të vezëve dhe inflacionit.

Festa e zhvilluar në klubin e natës Mutabor të Moskës më 21 dhjetor, u organizua nga blogerja Anastasia (Nastya) Ivleeva dhe në të morën pjesë këngëtarë të njohur, të gjithë thuajse të zhveshur. Këta janë personazhe kryesorë në programet argëtuese të televizionit shtetëror prej vitesh.

Ivleeva, e cila është bërë një nga emrat më të njohur të Rusisë, mori pjesë në festën lakuriq e veshur bizhuteri me vlerë 23 milionë rubla (251,000 dollarë) në një kohë kur disa rusë po luftojnë për t’ia dalë mbanë, ka publikuar dy video ku kërkon falje publike.

Në videon e dytë e përlotur, më 27 dhjetor, ajo tha se ishte penduar për veprimet e saj dhe meriton gjithçka që mori, por shpreson se mund t’i jepet “një shans i dytë”.

“Më vjen keq që ndodhi dhe nuk mund të kontrollohej. Rreziku që dikush të mendojë të sillet në këtë mënyrë nuk është parashikuar dhe i përfshirë në planifikimin e ngjarjes. Për këtë kërkoj falje për të gjithë – për shoqërinë dhe për mua. Të ftuarit, padashur u bënë pjesëmarrës në gjithçka që ndodhi. Jam plotësisht e vetëdijshme për përgjegjësinë time”.

Emri i saj që atëherë është zhdukur si një nga fytyrat publike të operatorit të madh rus të telefonisë celulare MTS, autoritetet tatimore kanë hapur një hetim që mbart një dënim të mundshëm me burg prej pesë vjetësh dhe një gjykatë në Moskë ka pranuar një padi nga një grup individësh që kërkojnë që ajo të paguajë 1 miliard rubla (10.9 milionë dollarë) për “vuajtjet morale”.

Nëse përpjekjet e tyre do të kenë sukses, paratë do të shkojnë në një fond shtetëror që mbështet veteranët e luftës në Ukrainë. Shumë nga pjesëmarrësit e famshëm të festës lakuriq kanë regjistruar video ku kërkojnë falje, duke përfshirë Philip Kirkorov-in, të cilit iu dha titulli “Artist i Popullit i Rusisë” nga Presidenti Vladimir Putin në 2008.

“Kalova vetëm për 5 minuta në festë dhe emri im, si zakonisht gjëmon më fort se të tjerët në një histori të njohur. Të bësh justifikime nuk është shumë burrërore, kështu që do t’u përgjigjem të gjithëve menjëherë. Ka çaste tek çdo person kur jeta futet në derën e gabuar. Po, e dija për festën, mora një ftesë, premtova se do të shkoja dhe shkova. Por nuk e dija natyrën e saj, lakuriqësinë dhe u largova.”

Skandali vjen në një kohë kur Putini, i cili pritet të fitojë me lehtësi një mandat tjetër gjashtëvjeçar në zgjedhjet e marsit, ka dyfishuar retorikën konservatore, duke u kërkuar familjeve të kenë tetë ose më shumë fëmijë, dhe pasi Gjykata e Lartë e Rusisë vendosi që aktivistët LGBT të cilësohen si “ekstremistë”.

Nikolai Vasilyev, një reper i njohur si Vacio, i cili mori pjesë në festën lakuriq duke veshur vetëm një çorape për të mbuluar penisin e tij, u burgos nga një gjykatë në Moskë për 15 ditë dhe u gjobit me 200,000 rubla (2,182 dollarë) për propagandë të “marrëdhënieve seksuale jo tradicionale”.

Emrave të tjerë më të famshëm të elitës artistike ruse u janë anuluar koncertet dhe koha e transmetimit fitimprurës të televizionit shtetëror, u janë anuluar kontratat me sponsorët dhe në të paktën një rast, thuhet se ka pasur përjashtim nga roli në një film të ri.

Skandali ka zemëruar ata që mbështesin luftën e Rusisë në Ukrainë.

Në qendër të Moskës disa rusë shprehën pikëpamje të përziera për pasojat e kësaj feste.

“Unë jam plotësisht e indinjuar. Nëse jeni duke bërë festë të paktën mos i filmoni të gjitha. Në një kohë kaq të vështirë për Rusinë, ata më e pakta të kenë turp. A nuk kanë turp para atyre që luftojnë për ne? Mendoj se kjo është e pa justifikuar, nuk kam as fjalë.”

“Njerëzit, të paktën sot, sipas kushtetutës sonë, janë të lirë dhe kanë të drejtë të bëjnë çfarë të duan, në kuadër të ligjit, sigurisht, festa ishte private, nuk u bë këtu në rrugë, kështu që në parim nuk shqetësonte askënd. Dhe pastaj… po, kjo është një kohë kaq e vështirë e kështu me radhë. Epo, atëherë ndalojeni, shpallni luftë ndaj festave, e thoni se është e ndaluar”.

“Festa ishte idiote, sidomos në këtë kohë. Nëse doni të bëni diçka vetë, nuk keni nevojë ta promovoni. Bashkohuni diku në heshtje dhe bëni çfarë të duhet të bëni, kjo është e gjitha. Por kjo ishte një tallje e të gjithëve ne.”

“Mendoj se çdo artist duhet të jetë me mend në kokë. Përpara se të bëni diçka, si personalitete publike, para se të bëni ndonjë zgjedhje, duhet të mendoni se si do të vlerësohet kjo zgjedhje nga publiku juaj, fansat tuaj. Prandaj, unë nuk e di, nuk mund të them me siguri nëse është e drejtë apo e gabuar.”

Klan News

You may also like