Ferrari premton se elektrike do të thotë “më shumë makina unike”

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Modelet elektrike dhe hibride duhet të përbëjnë 80% të shitjeve të Ferrari deri në vitin 2030, u deklaroi sot investitorëve, shtëpia automobilistike e makinave luksoze, duke premtuar se do të krijojë automjete “edhe më unike”, ndërkohë që po bën kalimin e kushtueshëm drejt modeleve me emetime zero.

“Besojmë se mund të përdorim motorin elektrik për të përmirësuar funksionet e automjeteve tona” – deklaroi të enjten, drejtuesi ekzekutiv, Benedetto Vigna, në prezantimin e planit të ri të shumëpritur industrial të kompanisë.

Ashtu si prodhues të tjerë të makinave sportive, sfida e Ferrari shkon përtej investimeve të mëdha kapitale, të nevojshme për të krijuar modele elektrike që mund të përputhen me performancën e lartë të automjeteve paraardhëse me lëndë djegëse fosile – bateritë e sotme të automjeteve elektrike (EV) nuk mund t’i japin fuqinë e qëndrueshme të një makine sportive me motor me djegie.

“Gjithçka që bëjmë do të jetë gjithmonë e përqendruar tek të qenët Ferrari autentik” – tha presidenti i shoqërisë, John Elkann, në fjalimin e hapjes. “Falë mundësive që ofrohen nga elektrifikimi dhe elektronika mund të realizojmë automjete edhe më unike”.

Ferrari ka deklaruar ndërkohë se në shtator do të prezantojë automjetin e parë sport-utility, me motorin e fuqishëm 12 cilindra me benzinë.
Z. Vigna konfirmoi qëllimin e shtëpisë automobilistike italiane se do ta prezantojë modelin e parë elektrik në vitin 2025 dhe se Ferrari do të nxjerrë në treg 15 modele të reja, duke filluar nga viti 2023 deri më 2026.

Kompania parashikon që automjetet tërësisht elektrike do të përfaqësojnë 5% të shitjeve në vitin 2025 dhe 40% në vitin 2030 – deklaroi Vigna. Shitjet e modeleve hibride duhet të rriten në 55% në vitin 2025 nga 20% në vitin 2021, para se të zbresin në 40% në vitin 2030.

 

CEO i Ferrari, Benedetto Vigna, pozon për një foto ndërkohë që Ferrari prezanton një strategji të re në afat të gjatë, në Maranello, Itali, 15 qershor 2022
REUTERS/Flavio Lo Scalzo

 

Vigna deklaroi se Ferrari do të zhvillojë dhe ndërtojë motorët e vet elektrike, inverterët dhe modulet e baterive për modelet e automjeteve elektrike në një linjë të re montimi në fabrikën Maranello në Itali,

Ai deklaroi se shtëpia automobilistike po bashkëpunon me prodhues baterish për të krijuar gjeneratën e ardhshme të baterive në gjendje të ngurtë, që të mund të akumulojnë më shumë energji krahasuar me bateritë konvencionale sot, për modelet e vet elektrike.

Përballë kërcënimit për të ndalur përdorimin e automjeteve me lëndë djegëse në Europë dhe në Kinë, shtëpitë kryesore automobilistike janë angazhuar të shpenzojnë më shumë se 250 miliardë dollarë deri në vitin 2025, për kalimin tek elektrifikimi, sipas vlerësimeve të sektorit.

Ferrari deklaroi se parashikon të investojë 4.4 miliardë euro (4.58 miliardë dollarë) brenda vitit 2026, pjesë më e madhe e të cilave në zhvillimin e produkteve.

/ Reuters


Monitor sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

You may also like