Fermeri, peng i dy komunave: Nuk përfitova asnjë cent nga shteti (VIDEO)

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Holanda dhe Belgjika. Franca, Gjermania dhe Zvicra. Kanada dhe Amerika.

Këto janë vetëm disa nga shtetet, kufijtë e të cilave janë pothuajse inekzistent. Njerëzit mund t’i falin dashuri njëri-tjetrit, pavarësisht kufijve. Por çështjet monetare, taksat e problemet e tjera, secili i rregullon brenda territorit të tij.

Shumë larg tyre, në mes të Ferizajt dhe Gjilanit, Agim Lipovica është në hall të madh dhe ka mbetur mes dy kufijve.

Lipovica jeton në Ferizaj, por pronat e tij janë në komunën fqinje. Duke qenë rezident në Ferizaj, atij i pamundësohet të përfitojë grante komunale në komunën ku ndodhet prona e tij.

2 hektarë tokë në Sllakovc të Gjilanit ai i mbolli me drurë arrash, vlera e të cilëve thotë se është rreth 20 mijë euro.

Lipovica, përveç arrave, në pronën e tij ka edhe fruta të tjerë arrore si lajthi e badem. Të gjitha këto, ai i bëri me vetëfinancim.

Pesë vjet nga koha kur filloi këtë biznes, Lipovica vazhdon të endet sa në një komunë në tjetrën. Hallit të tij për të përfituar mbështetje financiare nuk po i përgjigjet askush.

Zyrtarët komunalë në Ferizaj i thonë se nuk mund të marrë mbështetje financiare nga ta për shkak se tokat e tij ndodhen në një komunë tjetër, atë të Gjilanit.

Ndërsa, gjilanasit kanë arsyetim tjetër.

Ata i thonë se asnjë qytetar, i cili nuk është banor rezident i Gjilanit, nuk mund të përfitojë nga tatimpaguesit e kësaj komune.

Lipovica theksoi se nuk po kërkon drejtpërsëdrejti mbështetje financiare. Ai po kërkon fidanë të arrës, në mënyrë që të zhvillojë tutje biznesin e tij.

Burim Bajrami, që udhëheq drejtorinë e Bujqësisë dhe Pylltarisë në Ferizaj, ka thënë se ligji ua pamundëson investimin në komuna jashtë territorit të Ferizajt.

Pavarësisht përpjekjeve disajavore të Kiks Kosovës që të marrë një përgjigje konkrete nga komuna e Gjilanit, e cila udhëhiqet nga Alban Hyseni i Lëvizjes Vetëvendosje, ata kanë refuzuar të përgjigjen deri më tani.

 

You may also like