Fëmija, moda dhe mendësia

by admin
Spread the love

Fëmijët tanë, në formë don kishoteske, iu janë nënshtruar rrymës së fuqishme e të papërballueshme të globalizimit dhe trendeve në rritje që atyre u imponohen përmes kanalit jutjubë (youtube). Përmes këtyre kanaleve,fëmijë të ndryshëm nga bota kapitaliste ekspozohen fëmijëve tanë me pikëvishtrime të caktuara për lodrat, konceptin e lojës dhe botën në përgjithësi

Nga Latif MUSTAFA

Mësuesja e klasës së dytë të ciklit fillor ka lajmëruar prindërit përmes grupit në vajbër (viber) që mos t’i lazdrojnë fëmijët e tyre me rrobe firmato. Në fillim, kjo thirrje e mësueses nuk të bën përshtypje, por kur e kupton shqetësimin se fëmijët janë shtyer në klasë se cili i ka rrobet më të shtrenjta dhe kjo ka krijuar një konflikt verbal atëherë me plot vullnet i jep të drejtë mësueses dhe vërtetë është situatë shqetësuese. Ndoshta nuk i ka arritur përmasat e një fenomeni por shpërfaqjet e tilla superioriteti të karakterizuara nga moda dhe veshja në mosha kaq të njoma, të bën të mendosh për gjeneratat e pjekura se si ato të ndikuar nga imazhet e rrjeteve sociale, jetojnë një jetë fiks si kjo e fëmijëve. Ashtu siç gjeneratat e rritura krijojnë një vete në rrjete dhe i besojnë asaj, ngjashëm këtë e impnojnë tek fëmijët, duke e krijuar një vete tjetër tek ato dhe e ndërsejnë që të besojnë në të. Po pse ndodh kjo?

Fëmijët tanë, në formë don kishoteske, iu janë nënshtruar rrymës së fuqishme e të papërballueshme të globalizimit dhe trendeve në rritje që atyre u imponohen përmes kanalit jutjubë (youtube). Përmes këtyre kanaleve,fëmijë të ndryshëm nga bota kapitaliste ekspozohen fëmijëve tanë me pikëvishtrime të caktuara për lodrat, konceptin e lojës dhe botën në përgjithësi. Këto pamje krijojnë një pamje të përkryer të fëmiut amerikan që ndodhet diku në një studio të spikatur atje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai nuk është thjesht një fëmijë që po luan por një agjent që po shet produktet dhe klikimet e veta në rrjet. Ka edhe më shumë se kaq. Fëmijët tanë, të ndikuar nga filmat e animuar dhe vizatimor, rriten me ëndrrën e të qenit superhero. Ky koncept fillimisht është imponuar nga filmat Marvel-it, i cili ka të bëjë me tiparet e një heroi postmodern me përgjegjësi planetare. Kërkesat e fëmijëve apo thënë më mirë empatia dhe dashuria e prindërve për t’u dukur sa më të mirë me fëmijët, i pajisin dhomat e tyre, u blejnë rrobet, çantat dhe gjithçka tjetër që ndërlidhet me super heroin e tyre dhe krejt në fund qershinë mbi tortë, një tabletë ku ai nën ndikim konstant nga ide të tilla.

Këto fenomene janë problematika që i trajtojnë psikologët por si shtrirje e një ideje në mënyrë të pavetëdijshme u intereson edhe sociologëve e filozofëve. Mrekullia e idesë, në përgjithësi, është se ajo precipiton në mënyrë të pavullnteshme dhe pavetëdijshme në të gjitha shtresat dhe profilet shoqërore mjafton që një këtë ide të ketë diçka atraktive, zgjuese dhe emocionale. Mbase ne mund të jemi krejt të pafuqishëm ndaj një ndikimi të tillë që ka marrë hovin, mbase është ligji e entropisë por çështje është aktuale dhe kërkon përgjigje e trajtim. Pyetja që meriton konsideratë është se a duhet mësuar fëmijët se si të jenë dhe më pastaj çfarë duhet të kenë apo u duhet imponuar ideja se çfarë kanë edhe janë? Cili është identiteti i fëmisë sonë? Cila cilës i paraprinë, moda mendësisë apo mendësia i paraprinë modës?

Fëmijët janë një botë e njomë dhe e virgjër. Janë si letër e bardhë. Çfarëdo që shkruan në ta është e pranueshme dhe e përbrendësueshme. Në njërën anë, frikohesh që të ndërsesh një mendësi kritike tek fëmiu sepse kjo mendësi ka për ta hendikepuar më pas atë, shkaku i pragmatizmit shoqëror; në anën tjetër gjersa përpiqesh që tek ai të frymojë dhe ta përcjellë përjetësisht njerëzorja mbërthehesh nga ankthi i kohëve të këqija ku njerëzorja shkelet dhe manipulohet nga të pushtetshmit. T’i nënshtrohesh valës së madhe dhe të notosh në drejtim të saj është shumë e lehtë dhe jo sfiduese por rrjedha e lumit të shpien në batakllëk atje ku përfundojnë të gjitha mbeturinat. T’i kundërvihesh valës në mënyrë epike dhe të synosh burimin e lumit, gurrën prej ku buron pastëria e lumit përtej që është një përpjekje heroike, ajo ka kosto të lartë shoqërore dhe financiare.

Gjersa si prindër të gjithë jemi në këto ankthe në anën tjetër shohim se pavarsisht nga vetëdijshmëria jonë valë të ndryshme të epokës sonë kanë kapur fëmijtë tanë dhe dorë për dore lundrojnë drejt një entropie të pandreqshme dhe të pakthyeshme. Të gjithë përfundojmë në një pikë sikur më gjithçka na ka dalë nga dora dhe përpos lutjes së sinqertë në Zotin, asgjë s’na vie dorësh, por ama kur e kujton faktin se Zoti ka krijuar ligjësitë dhe ne i nënshtrohemi ligjësive të Zotit sikurse futemi në labirinthet e pafundme të anktheve tona për të gjetur përgjigjet e duhura.

Fillimisht, nuk e shoh të shëndetshme që fëmijëve t’u blehen rroba të shtrenjta firmato. Me siguri se çfarëdo që u blejmë atyre, ato me siguri se mbartin ndonjë një logo. Është e pashmangshme. Por ky fakt nuk duhet tu potencohet atyre e tu llastohet ndërgjeja. Kjo është e rrezikshme për moshën dhe karatkerin e tyre. Qenësia e tyre fillon të përcaktohet nga ajo çfarë kanë. Para se t’i ndërtohet brendësia u ndërtohet jashtësia. Jashtësia është aksidentale kurse brendësia është esenciale. Jashtësia është aksidentale sepse i nënshtrohet proceseve të ndryshme transformimi gjersa e brendshmja mbetet, fikse, e pandryshueshme dhe e pashkatërrueshme. Superioriteti i shpifur klasor nuk e bën fëminë tonë të virtytshëm, të vullnetshëm dhe qëndrestar.

Mbase krejt në mënyrë të gabueshme edhe ne prindërit, të pavetëdijshëm përpiqemi të ndjehemi dikushi, duke vizituar hotele gjoja superiore, duke bërë udhëtime dhe shetitje gjoja aristokratike, duke veshur rroba e blerë vetura të shtrenjta dhe për të gjitha këto shkrepim disa foto të befta dhe i ngarkojmë në rrjetet sociale. Pëlqimet e marra, me kohën na bëjnë të besojmë, se ne të vërtetit jemi ato të rrjeteve, ato që dukemi dhe jo ato që në të vërtetë jemi. Kjo është tragjike. Tragjedizmi i tillë do të përcjellë edhe fëmijët tanë dhe fëmijët e të tjerëve që do të përpiqen t’u emitojnë juve. Dikush mund të thotë se mos gjë të qenurit i pasur është gjë e keqe? Jo, assesi! Secili duhet të ketë ambicie për t’u pasuruar dhe arritur majet. Por të qenurit i pasur në një vend të varfur është problematike. Mjafton të shihen pamjet e luftës në Ukrainë, një luftë midis Europës, dhe do të kuptojmë se si pasuria bëhet pluhur dhe një fluskul sapuni në qoftë se njeriu nuk është gatuar me vullnetin për liri dhe guximin. Të pasurit e vërtetë pasurinë e mbajnë në duar dhe jo në zemër.

Moda, veshja me firmato dhe potencimi i këtij fakti ndaj fëmisë krijon mendësinë e paprekshmërisë tek ai, epërsisë klasore dhe tutelës së përjeshtme të mbrojtjes prindërore. Në këto kohëra të vështira lufte dhe paqeje, kur aty bëhet luftë aty bëhet paqë, fëmiju duhet të përbrendësohet me vlera dhe shkathtësi të tjera. Liria, përgjegjësia, respekti dhe maturia janë karakteristika që duhet ta shoqërojnë atë përjetësisht pa harruar të dresojmë atë mbi jetën e cila është një agoni dhe luftë e gjatë. Fëmijës duke i krijuar një brendësi dhe botëkuptime të shëndosha, veç si i tillë, ai arrin të konceptojë jashtësinë e tij. Mendësia duhet t’i paraprijë modës dhe jo moda mendësisë. /koha.mk

You may also like