FBK-ja, publikon rregullat për tifozët në prag të “Final 8”

by admin
Spread the love

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), të hënën ka publikuar rregullat që duhet t’i përmbahen tifozët për të përcjellë nga tribunat ndeshjet e “Final 8” të Kupës së Kosovës.

Ky turne nis të martën dhe zgjat deri të shtunën, me ndeshjet finale në të dyja konkurrencat, ndërsa do të mbahet në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë.

FBK-ja, ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme që kjo ngjarje të mos ketë as incidentin më të vogël.

Në paralajmërimin e FBK-së, thuhet se Policia e Kosovës do të jetë e vendosur në perimetrin e sigurisë, ku edhe do të bëjë filtrimin e shikuesve për të mos lejuar futjen e gjësendeve të palejuara në palestër. Gjithashtu, të gjithëve do t’u kërkohet edhe dokumenti identifikues së bashku me biletën, ndërsa të gjithë ata që nuk posedojnë biletë nuk do të kenë mundësi të afrohen te portat e palestrës.

Në mesin e gjërave të palejuara që nuk do të lejohen të kalojnë portat, janë: mjetet piroteknike, shishet e qelqit dhe plastikës, pijet alkoolike, substancat narkotike, ombrella, armët e zjarrit apo të ftohta, kamera profesionale dhe video kamera, si dhe çdo material promovues racist, ksenofobik, politik e fetar.

You may also like