Fatmir Mediu: E shikojmë veten si zot të ndryshimeve kushtetuese sa herë të na teket

by admin
Spread the love

Në mbledhjen e përbashkët të Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit të Legjislacionit, teksa Partia Demokratike ka prezantuar tre kërkesat për ndryshimet kushtetuese, deputeti Fatmir Mediu ka ngritur një shqetësim.

Gjatë fjalës së tij, Mediu tha se ka ardhur koha që të mendohet si të kryhen këto procese, ndërsa sugjeroi edhe përfshirjen e konstitucionalistëve ndërkombëtarë.

Madje, Mediu tha se ndoshta duhet të krijohet një asamble kushtetuese që të krijojë Kushtetutën njëherë e përgjithmonë. Ai shtoi se është gabim që vazhdojnë të mendojnë sikur janë zot të ndryshimeve kushtetuese.

Deklarata e Mediut:

“Ka ardhur koha që të mendojmë si ta kryejmë këtë proces, që duhet të përfshijë konstitucionalistë të nivelit ndërkombëtar. Nëse nuk mundemi ta miratojmë këtë kushtetutë me referendum krijojmë ndoshta edhe një asamble kushtetuese që të krijojë kushtetutën njëherë e përgjithmonë. Pajtohem me shqetësimet e ngritura, por e kam me thelbin sesi duhet ta bëjmë këtë punë. Mendoj se kemi shumë gabim që e shikojmë veten si zot të ndryshimeve kushtetuese sa herë të na teket. Asnjë vend i NATO nuk e bën këtë. As në Rusinë e Putinin nuk ka ndodhur kështu, që ndryshimet kushtetuese të bëhen kështu,” u shpreh ai.

You may also like