“Fatihaja” e plakës serbe –

by admin
Spread the love

Ismail Bardhi

Më duket se kanë të drejtë kur na akuzojnë, ose kur akuzojmë veten, se ne muslimanët e këtyre viseve harrojmë shumë dhe shpejt. Pa marrë parasysh se sa është e bazuar kjo akuzë, ajo është e rëndë dhe ka domethënie të veçantë. Por, a është e vërtetë kjo? Po, sepse si nga periudha e fundit të Perandorisë Osmane dhe pas kësaj kjo është fotografia e muslimanëve: e harruam emanetin e Zotit si fe, si namuz, e të mos flas si filozofi e art.
Për ta pasur parasysh këtë fotografi ne ballafaqohemi me momente të ndryshme duke filluar nga guri e deri te ndërtesat që ne, me dhe pa kuptim, i quajmë orientale.

Në këtë shkrim do ta cek një bisedë me ish-kryetarin e Bashkësisë Fetare Islame në RMV, pa u marrë kësaj radhe me fatin e kësaj shtëpie apo institucioni që është histori në vete, edhe është më se e vërtetë se ajo është një shtëpi që kënaqet dhe gëzohet me tmerrin e metafizikës fetare dhe kulturore; një qendër e cila është harxhuar ose shkëputur nga burimi i saj që e mban gjallë dhe që ka shkuar aq larg sa që nuk di të merret me përgjegjësinë fetare, e lëre më kuptimin e kësaj përgjegjësie si emanet dhe si dituri. Por t’i kthehem asaj që është temë e këtij shkrimi. Ne të moshuarit kur bisedojmë me njëri- dhe shpesh e kujtojmë të kaluarën. Kështu dje në bisedë e sipër me hafiz Arif ef. Eminin, tani vaiz në një xhami të Gostivarit, më tregoi për një rast i cili më detyroi të mendoj se kush jam, apo kush jemi, dhe a është e mundur ta harrojmë aq shumë, jo vetëm fenë, por edhe fetarët. Sipas fjalëve të tij diku në vitin 1971 dikush nga familja e ngushtë tij duke udhëtuar nëpër Serbi, natyrisht për punë dhe idare, diku afër Nishit përjeton aksident trafiku. Sapo familjarët e marrin informacionin nisen për në spitalin e Nishit ku ai ishte shtrirë për mjekim. Në mesin e tyre ka qenë edhe Arif efendiu dhe meqenëse si musliman ka pasur kapelën në kokë, në spital i afrohet një grua e moshuar dhe e pyet: “Nga je?” Arif ef. i tregon dhe ajo fillon rrëfimin e saj: “Këtu më parë kishte shumë muslimanë; madje edhe unë si fëmijë kam mësuar mësim-besimin dhe akoma e mbaj në mend suren Fatiha” dhe fillon ta thotë… Duke ma treguar këtë ngjarje ai tha se akoma nuk e harronte atë fotografi të asaj gruaje të moshuar dhe rrëfimin e saj, se më tepër i fliste fytyra, shikimi që sikur donte të thoshte se sa shumë padrejtësi i është bërë Islamit dhe muslimanëve.

Sot në ato vise nuk kemi as isharete për diçka të tillë dhe shenjat materiale dhe shpirtërore janë duke u shkatërruar dhe duke u bërë inekzistente. Këtë nuk jam duke e folur në aspektin material, sepse ajo është punë e Zotit, por jam duke folur për atë shpirtëroren, ndërgjegjen njerëzore që është e pavdekshme dhe shëtit mbi ne duke na e treguar përgjegjësinë se edhe para lindjes e kemi dëshmuar se nuk ka zot tjetër, përpos Zotit Një, dhe se ai besim ka qenë dhe ka mbetur urdhër i Zotit, pa marrë parasysh ngjyrën, vendin dhe kohën dhe sepse burimi i saj nuk ka të bëjë me këtë botë – burimi i saj është “Kalu bela”. Dhe këtë nuk e them me gjuhën e “patriotizmit” fetar, por me atë se sa i varfër, e të mos them “idiot” është njeriu që ka bërë masakra ndaj muslimanëve dhe besimit islam, e në anën tjetër pretendon se i takon një civilizimi, më e keqja edhe kulturës përparimtare perëndimore. Ku fati të ishte perëndimore. Por, këta këtë zullumin ndaj fesë e kanë shndërruar në fuqi “shpirtërore” si zëvendës të shejtanit dhe kështu veprojnë me vetëdije të lartë. Pas kësaj bisede filluan të më kthehen në kujtesë fotografitë e vendeve të ndryshme në Serbi, jo vetëm Nishi, por edhe Vraja, Leskovci e shumë vise të tjera. Madje edhe Beogradi i vjetër me një numër të madh xhamish, për çka një ndër figurat e larta politike si Daçiqi në një bisedë tha se “Ndërtesa e Parlamentit serb është e mallkuar, sepse aty ka pasur xhami”. Pavarësisht se kjo “mitologji” më la përshtypje të mirë që së paku ta përjetoj të drejtën nga një burim që nuk është mirë të merret si burim, megjithatë pyetja kryesore mbetet se ne me çfarë të drejte i themi vetes se jemi njerëz me përgjegjësi, të përgjegjësisë për përgjegjësinë, mendoj në atë se si është e mundur që teologjia jonë, diskursi ynë fetar të mos merret me isharetet mbi tokë, që së paku të kujtohet e kaluara me një përmbajtje kulturore, tradicionale, fetare!?! Ne sot tërë fuqinë tonë metafizike e harxhojmë në spiunim dhe në fitne; këto janë shndërruar në ushqim “jetëmbajtës”; pa këto ne jemi “të vdekur”. Më erdhi ndër mend një shënim nga një libër që e kam lexuar para nja dyzet vitesh, nuk me kujtohet titulli, se si përdorej telefoni dhe aty kalonte një statistikë se mbi 90% telefoni përdoret vetëm për interesat personale, vetëm 1-2% ishte për t’ia pyetur hallin tjetrit. Sa arkaik është ky shembull në krahasim me kohën tonë sot, por besoj se ka mundësi të merret si një përkujtim i rëndësishëm, pa marrë parasysh se nuk kemi mundësi ta gjejmë as në telefon këtë heshtjen e gruas plakë të Nishit, e cila e thotë fshehurazi suren Fatiha, duke thënë se: “unë kam qenë muslimane dhe kam mësuar Kur’anin në xhami, te hoxha”, me atë që sot nuk ekziston asgjë materiale për ta dëshmuar, përpos përkujtimit të këtij rasti.

Me keqardhje them se ne muslimanët jemi përballë një zhvillimi i cili jo që nuk lë të merremi me të kaluarën si histori por edhe si përkujtim; dhe këtë nuk e them sipas asaj se nëse kemi numër të madh të muslimanëve jemi të fortë – jo, ai është stil i idiotëve që të vërtetën e përplasin me numra, duke harruar përkufizimin e përgjegjësisë, gjegjësisht të shpirtit të njeriut. Njerëzit e urtë dhe filozofia thonë se e vërteta është kryesorja, feja na e ka regjistruar një gjë të tillë në hershmërinë e paharruar, pa fillim e mbarim, e cila na paraqitet edhe në momente të tilla, ku ulet një grua plakë dhe thotë se: “unë kur kam qenë e vogël këtu në Nish e kam mësuar Kur’anin dhe akoma e mbaj mend suren Fatiha”, sikur të donte të thoshte se sot nuk ka mbetur musliman këtu, prandaj edhe nuk merret më askush me ne.

Sa e dëmshme është harresa, dhe si duket teologët tanë muslimane harresën e kanë ushqim kryesor, sepse teologjinë e kanë zbritur në “fuqinë”, të mos them në “biznesin” e vdekjes dhe të synetisë pa e pasur as atë fuqinë e plakës që në frikë e reciton Fatihanë.

Shkup 14.12.2023

MARKETING



You may also like