Fati i të pagjeturve/ Familjarët paralajmërojnë Qeverinë për protesta në dhjetor

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Edhe pas 23 vjetëve, shpresa se një ditë do t’i gjejnë familjarët e tyre nuk po iu shuhet.

Dhimbjen e njëjtë e kanë familjarët e mbi 1600 personave që konsiderohen të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

Prioritet i Kurti në fjalimet e fushatës, ishte çështja e të pagjeturve.

Mirëpo, këtë premtim nuk po e mbanë qeveria aktuale. Kështu të paktën po thuhet nga Shoqatat e Personave të Pagjetur.

Kryetari i kësaj shoqate, Bajram Qerkini, thotë se tash e një vit e gjysmë nuk ka asnjë rezultat.

“Është marre më i përmend 100 herë të njëjtat fjalë, se ata kanë premtu se nuk do të bisedohet asnjë pikë pa u zbardhur fati i të pagjeturve, numër 1 do të jetë zbardhja e fatit të pagjeturve. Tani që një vit e gjysmë, asnjë takim në Bruksel nuk është fol për personat e pagjetur. Nuk kemi rezultat në atë që e kanë premtu”, thotë ai për Front Online.

Qerkini thotë se nëse nuk munden të bëjnë asgjë, atëherë të deklarohen.

“Edhe këta vet po e dinë që nuk po munden me bë asgjë, le të dalin vëlla, le të na thërrasin, nuk po mundemi me bë se nuk po na len Bashkësia Ndërkombëtare ose nuk po bëjnë presion sa duhet mbi Serbinë”, u shpreh Qerkini.

E, për këtë stagnim, po planifikohet t’iu kërkohet ‘llogari’ Qeverisë në fund të dhjetorit.

“Do ta bëjmë një përgatitje sidomos prej 30 dhjetorit do ta bëjmë një kërkesë apo presion të madh para Qeverisë ose do t’i thërrasim këta që të merren me këtë çështje, që duhet të merren me këtë çështje e t’u them që a jeni ata që keni përmend, e nuk po i kryeni premtimet”, përfundoi ai duke thënë se do të jetë grumbullimi më i madh që ka ndodhë deri më tani.

Ndërsa, nëna nga Gjakova, ka besimin e plotë që në krye me kryeministrin Kurti, do të gjenden personat e pagjetur.

Nesrete Kumnova për Front Online tha se diskutimi është i vështirë me palën serbe.

“Unë shpresoj që po, dhe gjithë besimin e kemi pasë tek kryeministri Kurti, dhe e di që është shumë i interesuar mu zbardh fati i të pagjeturve, por normal kjo është shumë  vështirë duke e parë që me kënd kemi punë mu merr vesh. Shpresat nuk i humbi kurrsesi se kryeministri Kurti që gjithsesi do ta shtrojë këtë çështje”, deklaroi ajo për Front Online.

Kosova ka dalë nga lufta e viteve 1998-‘99 me më shumë se 13,000 persona të vrarë, mbi 800,000 të zhvendosur dhe më shumë se 6,000 të pagjetur.

You may also like