Evropa e shmangu krizën energjitike këtë dimër, por mund të mos përballojë dot një verë tjetër të nxehtë – Shqip

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Nga Nikhil Kumar & Levitan

Grid

Kriza? E çfarë krize? Pas muajsh shqetësimi mbi mundësinë e dëmeve ekonomike serioze nga mungesa e furnizimit me energji gjatë dimrit, për shkak të ndërprerjes së eksporteve energjetike ruse në Evropë, kontinenti e gjen veten papritmas me më shumë energji në depozitat e tij sesa e kishte parashikuar.

Deri më tani nuk ka pasur ndonjë ndërprerje në shkallë të gjerë të energjisë. Pra tani për tani kriza është shmangur. Një faktor madhor që na ndihmoi: moti. Temperaturat më të larta se zakonisht në të gjithë Evropën, nënkuptuan se frika nga një rritje e papritur e konsumit për shkak të ngrohjes, nuk u materializua kurrë.

Po ashtu kërkesa ka qenë më e ulët si rezultat i kostove më të larta të energjisë, edhe sepse qeveritë kanë vendosur kufizime që ndihmuan në rritjen e niveleve të depozitimit të gazit në të gjithë kontinentin, gjë që e ndihmoi Evropën t’i kalonte në thuajse normalitet muajt e dimrit. Depozitat e gazit në mbarë Evropën pritet të jenë më shumë se 54 për qind të mbushura në fund të këtij dimrit, dukshëm mbi mesataren prej 35 për qind gjatë 12 viteve të fundit.

“Në përgjithësi, gjërat kanë ecur shumë më mirë nga sa patën frikë shumë njerëz. Të gjitha marrëveshjet për të siguruar furnizime alternative na ndihmuan vërtet”- thotë për GridFranziska Holz, eksperte e energjisë në Institutin Gjerman për Kërkime Ekonomike.

Gjithsesi disa ekspertë të tjerë paralajmërojnë se sfida energjetike e Evropës nuk ka përfunduar ende. Kjo sepse një tjetër sezon – dhe një skenar tjetër makthi – po afrohet.

“Do të jetë një verë më e vështirë se sa është e përgatitur pjesa më e madhe e Evropës”- mendon Suriya Jayanti, eksperte e politikave energjetike me qendër në Uashington dhe ish-diplomate amerikane.

Ndërsa një dimër më i ngrohtë se zakonisht ka ndihmuar jo pak – temperaturat mesatare në Evropë në janar ishin 2.2 gradë Celsius më të larta sesa mesatarja e viteve 1990-2020 – vera e vitit të kaluar ishte po ashtu më e nxehtë. Dhe një verë e nxehtë mund të sjellë po aq presion në fushën energjetike sa edhe një dimër i ftohtë.

Energjia hidrike – e cila pakësohet shumë kur rriten temperaturat dhe bien nivelet e ujit në rezervuarë – ka përbërë afro 17 për qind të energjisë elektrike të Evropës gjatë viteve të fundit. Një rënie e prodhimit të saj do të jetë shqetësuese. Për më tepër i nxehti ekstrem ka të ngjarë të rrisë përdorimin e energjisë.

Por këto nuk janë të vetmet rreziqe. Politikë-bërësit evropianë kanë arritur që të reduktojnë  varësinë e tyre nga energjia ruse – nga rreth 45 për qind e importeve të gazit në nën 13 për qind aktualisht – dhe në këtë proces i kanë mbushur depozitat e tyre në më shumë se 90 për qind të kapacitetit.

Por një pjesë e mirë e këtij gazi erdhi nga vetë Rusia. “Rreth 20-30 për qind e gazit në depozita ishte rus”- thotë Ben McWilliams nga instituti Bruegel, një institut kërkimor ekonomik me seli në Bruksel. Por në fillim të këtij viti kjo sasi është harxhuar tashmë. Rezultati: Edhe pas këtij dimri të kaluar relativisht lehtë, evropianët rrezikohen ende nga një krizë energjitike.

Duke pasur parasysh modelin – një verë tejet e nxehtë në vitin 2022 dhe dimrin jo tipik të ngrohtë që e pasoi – Evropa duhet të përgatitet për një tjetër sezon veror shumë të nxehtë. Dhe për krizën energjetike që mund ta shoqërojë. E vërteta është se është e vështirë të dihet me saktësi.

Edhe parashikimet më të sofistikuara nuk mund të parashikojnë se sa do të mbërrijnë temperaturat në korrik dhe gusht. Dhe nga perspektiva klimatike, një dimër jashtëzakonisht i ngrohtë në Evropë nuk përkthehet automatikisht në parashikimin e një vere më të nxehtë se normalja.

“Sot nuk kemi në dispozicion asnjë mekanizëm për të parashikuar se si do të jetë moti ne verë në Evropë bazuar në dimrin e butë që po përjetojmë”- thotë Riçard Allan, profesor i shkencës klimatike në Universitetin Riding në Britani. Por tendencat më të gjera janë të pagabueshme.

Bashkë me pjesën tjetër të planetit, Evropa ka përjetuar nivele jashtëzakonisht ekstreme të nxehtit. Vera e kaluar ishte më e nxehta në histori në kontinent. Dhe ndryshimet klimatike nënkuptojnë se këto tendenca – dhe dëmet që shkaktojnë – ka të ngjarë që të vazhdojnë.

Një element tjetër që mund të ndikojë tek moti në Evropën dhe pjesën tjetër të botës: ndikimi i modeleve të motit të Oqeanit Paqësor. Modeli La Niña ka të ngjarë të përfundojë këtë vit, pas disa vitesh që ka ndihmuar në ftohjen e të gjithë planetit. Edhe pse mund të mos kthehet ende në një El Niño, dhe të fillojë ta shtyjë globin më tej në një rekord të ri temperaturash të larta, Paqësori do të përjetojë një model neutral që do të ushtrojë ende një ndikim ngrohës në krahasim me 2 vitet e fundit. Dhe kjo e forcon perspektivën e një vere tjetër shumë të nxehtë dhe të thatë.

Dhe ky lajm i keq mbi motin, do të thotë një lajm i keq për sektorin energjitik. Një rast i tillë ishte vala e të nxehtit ekstrem verën e vitit të kaluar. Prodhimi i hidrocentraleve ra me shpejtësi në disa pjesë të Evropës. Në Itali, ai ra me thuajse 40 për qind. Në Spanjë, thatësira i çoi rezervat e ujit në nivelet më të ulëta që nga viti 1995.

Gjatë 9 muajve të parë të vitit 2022, Spanja prodhoi 48 për qind më pak energji hidroelektrike se një vit më parë. Ndërsa kreu i ENEL, kompanie e madhe evropiane e energjisë, paralajmëroi investitorët verën e kaluar: “Thatësira në Evropë është shumë shqetësuese”.

Përdorimi më i lartë i energjisë në verë për t’u freskuar, më pak energji nga HEC-et dhe më pak furnizime me gaz rus, mund të krijojnë një situatë të vështirë për evropianët këtë verë.

Një problem tjetër i mundshëm – ruajtja e niveleve të duhura të depozitimit të energjisë për dimrin e ardhshëm – i ka rrënjët në pjesë të tjera të botës. Evropa ka vendosur objektiva të reja për vendet që të rimbushin nivelet e tyre të ruajtjes në 90 për qind ose më lart përpara ardhjes së dimrit. Por sipas një paralajmërimi të fundit nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA), ky objektiv ka të ngjarë të jetë shumë më i vështirë për t’u arritur sesa vitin e kaluar.

“Procesi i mbushjes së depozitave të gazit në BE gjatë vitit, përfitoi nga disa faktorë thelbësorë që cilët mund të mos përsëriten më këtë vit”- shprehet agjencia. Dhe një nga këta faktorë është humbja e sasive të mëdha të gazit rus. Pastaj është një faktor tjetër sfidues që shtrihet shumë përtej Evropës: rigjallërimi i aktivitetit ekonomik në Kinë, dhe rrjedhimisht i rritjes së kërkesës së saj për energji.

Gjatë vitit 2022, ekonomia e Kinës ishte ende e kufizuar për shkak të politikës “Zero Covid” të Pekinit. Ajo nënkuptonte se Kina po konsumonte shumë më pak gaz natyror të lëngshëm (LNG) se zakonisht. Dhe kjo i dha mundësi Evropës të blinte LNG-në nga tregjet ndërkombëtare, duke e ndihmuar në plotësimin e mungesave të shkaktuara nga heqja dorë nga gazi rus.

Tani Kina i ka hequr thuajse të gjitha kufizimet e saj ndaj Covid-19 dhe ekonomia po rihapet. Dhe IEA thotë se nëse oreksi i Kinës për LNG arrin në nivelet e vitit 2021, atëherë ajo do të merrte mbi 85 për qind të rritjes së pritshme të furnizimit global me LNG. Pra potencialisht mund të ketë më pak gaz në dispozicion për Evropën.

Nëse furnizimet me gazin rus bien në zero, dhe rritet konsumi i LNG-së nga Kina, Evropa mund të përballet me një mungesë të madhe të gazit. “Me motin e butë që kemi përjetuar muajt e fundit dhe me çmimet më të ulëta të gazit, ekziston rreziku i vetëkënaqësisë dhe i vonesave mbi furnizimin me gaz të Evropës. Por ne nuk jemi ende jashtë rrezikut të krizës”- paralajmëroi në nëntorin e vitit të kaluar drejtori ekzekutiv i IEA-s Fatih Birol.

Gjithsesi, analistët thonë se ka arsye për të qenë optimistë. Politikëbërësit evropianë kanë hedhur hapa të rëndësishëm për ta ndihmuar kontinentin që të jetojë pa furnizime energjitikeruse, përfshirë rritjen e kapacitetit të kontinentit për të konsumuar LNG në vend të gazit që vinte deri dje nga Moska.

Holz nga Instituti Gjerman për Kërkime Ekonomike, thotë se masa të tilla e kanë bërë Evropën më të përgatitur për këtë vit, si për verën ashtu edhe për dimrin. Pra kriza nuk është larguar, por një leksion thelbësor që kanë mësuar muajt e fundit, është se Evropa është treguar e aftë për t’ia dalë edhe pa nivelet e larta të furnizimeve energjitike ruse, me të cilat ishte mësuar vitet e fundit.

Duke kthyer kokën pas, është e qartë se gjatë dimrit Evropa nuk u ndihmua vetëm nga ajo që bënë politikëbërësit e saj. Fati, Nëna Natyrë dhe vëmendja e madhe ndaj çështjes së sigurisë energjetike, e ndihmuan që të gjitha kontinentin të mposhtte përdorimin nga Rusia të energjisë së saj si një armë. Në shumë mënyra, ndërsa vazhdon lufta në Ukrainë dhe moti po ngrohet, pyetja mund të jetë shumë e thjeshtë: A do të ketë sërish fat Evropa?

You may also like