Europiani U-19 për vajza/ Ndeshjet e Grupit B zhvillohen në Shqipëri

by admin
Spread the love

Federata Shqiptare e Futbollit është tashmë një partner i konfirmuar i UEFA-s, që falë seriozitetit dhe punës së mirë disa vjeçare mirëpret e organizon ndeshje zyrtare të niveleve të ndryshme.

Përgjatë këtij muaji, FSHF do të organizojë sfidat kualifikuese të vlefshme për Kampionatin Europian U-19 për vajza, që do të zhvillohen në formën e një mini-turneu.

Shqipëria e drejtuar nga trajneri Kreshnik Krepi është shortuar në të njëjtin grup me Letoninë, Rumaninë e Armeninë në grupin B. Të gjitha ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen në Shqipëri, në datat 5, 8 dhe 11 tetor.

Takimi i parë i Shqipërisë do të jetë kundër Letonisë më 5 tetor, që do të luhet në stadiumin “Elbasan Arena” në ora 14:30. Ndërkaq, tre ditë më vonë, vajzat kuqezi do të përballen me Rumaninë, në po të njëjtën orë, në impiantin “Elbasan Arena”.

Sfida e tretë dhe e fundit e Shqipërisë U-19 për vajza do të jetë kundër Armenisë, më 11 tetor në stadiumin “Elbasan Arena”, në ora 14:30.

Ndërkaq, ndeshjet e tjera të grupit, të ekipeve mike do të zhvillohen në impiantin tjetër modern shqiptar, “Egnatia Arena” në Rrogozhinë.

Vetëm përgjatë këtij viti, FSHF ka organizuar dy turne “UEFA Development” për djem U-16 dhe vajza U-16, në muajt prill e maj si edhe ndeshjet e raundit para-eliminator të grupit G të UEFA Futsal Champions League në muajin gusht.

Gjithashtu, në bashkëpunim me UEFA-n, FSHF organizoi edhe finalen e parë e historike të Ligës së Konferencave, Roma – Feyenoord në muajin maj, një event madhështor, organizimi i të cilit lakohet ende sot si një nga finalet më të mira mes atyre të zhvilluara në Paris e Sevilla.

You may also like