EULEX prezanton Raportin e tij për Monitorimin e Drejtësisë – Shqip

by admin
Spread the love

Më 24 nëntor, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) e prezantoi Raportin e tretë publik të tij për Monitorimin e Drejtësisë, i cili e mbulon periudhën prej muajit nëntor 2021 deri në shtator 2022. Raporti bazohet në monitorimin e thuktë të tërë zinxhirit të sistemit të drejtësisë, përfshirë konkretisht 303 raste aktive penale dhe civile. Ky raport përmban gjetje sistematike dhe tematike të shoqëruara me rekomandime të përshtatura për autoritetet përkatëse mbi mënyrat e adresimit të mangësive të identifikuara në sistemin e drejtësisë.

Shefi i Misionit EULEX në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark, theksoi se Misioni është i vendosur që të sigurojë transparencë për punën e tij duke shtuar se: “Debati publik i informuar rreth hapave konkret që duhet të ndërmerren për ndarjen e drejtësisë për të gjithë qytetarët e Kosovës, është thelbësor për të siguruar progres”. Wigemark gjithashtu theksoi se: “Për herë të parë, ky raport i mbulon edhe dy fusha të reja: krimet kundër gazetarëve dhe drejtësinë për të miturit. Në kuadër të temës së luftës kundër korrupsionit, ky raport gjithashtu për herë të parë e trajton, fatkeqësisht, edhe korrupsionin e përhapur gjerësisht në sektorin e kujdesit shëndetësor.”

Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, tha: “Raporti i EULEX-it për Monitorimin e Drejtësisë, është gjithsesi i vlefshëm për të ritheksuar gjendjen e rënduar të sistemit të drejtësisë, respektivisht të sektorit prokurorial dhe gjyqësor.”

Ministrja e Drejtësisë e përmendi gjithashtu faktin se ky raport duket të jetë pozitiv për temën e dhunës në baza gjinore, duke pasur parasysh faktin se ka një rritje konstante prej 20% deri në 22% të shkallës së raportimit të rasteve të dhunës në familje, krahasuar me dy vitet e mëparshme. “Në këtë drejtim, përmes politikave dhe veprimeve konkrete, si Ministri e Drejtësisë, po përpiqemi të punojnë në drejtim të sensibilizimit të qytetarëve kundër dhunës, dhe në të njëjtën kohë të inkurajimit të viktimave për ta raportuar dhunën.”

Haxhiu i përmendi edhe krimet ndaj gazetarëve duke i quajtur ato të patolerueshme. “Ministria e Drejtësisë e ka rregulluar me ligj ndihmën juridike falas për të gjithë gazetarët”, tha Haxhiu.

Duke i paraqitur gjetjet dhe rekomandimet kryesore, Shefi i Njësisë së EULEX-it për Monitorimin e Rasteve, Hubert van Eck Koster, theksoi se ka pasur pak zhvillime, relativisht të reja dhe inkurajuese, në ndarjen e drejtësisë në Kosovë, siç është fakti se:

shkalla e seancave joproduktive në rastet e monitoruara është në rënie;
disa raste të profilit të lartë të monitoruara tani janë aktive pas një periudhe të gjatë të pasivitetit;
Sistemi Informativ për Menaxhimin e Lëndëve tani është duke funksionuar në të gjitha gjykatat;
rastet e terrorizmit janë trajtuar në mënyrë efikase nga policia, prokuroria dhe gjykatat;
Nga ana tjetër, raporti paraqet edhe mangësi të rëndësishme brenda zinxhirit të drejtësisë, kryesisht për atë se:

aplikimi i dënimeve plotësuese nuk shfrytëzohet mjaftueshëm;
ka ngecje në shumë raste të korrupsionit të profilit të lartë;
bashkëpunimi ndërmjet agjencive si dhe puna policore në bazë të dhënave të inteligjencës dha kapacitetet për hetime financiare në luftën kundër korrupsionin mbetet i dobët
progresi në ndjekjen penale të krimeve të luftës kufizohet në një numër të kufizuar rastesh;
dënimet në rastet e dhunës në baza gjinore nuk janë konsekuente
Raporti thekson gjithashtu se ka një rënie të numrit të “masave të diversitetit” të aplikuara në rastet që kanë të bëjnë me të mitur: “Policia dhe prokuroria duhet të përdorin në maksimum “masat e diversitetit”, rikujtoi van Eck Koster.

Duke e komentuar pozitivisht raportin, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm për Resurse i Policisë së Kosovës, Dejan Janković, tha se ai paraqet një qasje dhe analizë gjithëpërfshirëse ndërinstitucionale për ta vlerësuar efektivitetin e sistemit në përgjithësi.

“Do të jemi të fokusuar në rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional për t’iu përgjigjur këtyre gjetjeve dhe rekomandimeve”, tha Janković, duke e rikonfirmuar edhe përkushtimin e Policisë së Kosovës për ta rritur efikasitetin dhe efektivitetin e saj, si dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve ligj-zbatuese, gjyqësorit dhe shoqërisë civile.

Duke i përmendur disa nga rekomandimet e raportit për rastet e dhunës në baza gjinore dhe zbatimin e Strategjisë për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave, Janković shpjegoi se Policia e Kosovës do të përpiqet t’i zbatojë të gjitha aktivitetet, përfshirë edhe kontributin e saj në hartimin e Protokollit për referimin e rasteve të dhunës seksuale dhe zbatimin e tij. Ai, gjithashtu tha se Policia e Kosovës do të punojë në drejtim të hetimit dhe ndjekjes penale të përgjegjësisë penale të prindërve të përfshirë në bashkësitë jashtëmartesore të fëmijëve të tyre dhe se do ta rrisë zbatimin e “masave të diversitetit” siç parashihet me Kodin e Drejtësisë për të Mitur të Kosovës.

You may also like