EULEX nuk vëren “ndryshime në terren” lidhur me dyshimet për riinstalimin e policisë serbe në veri

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), tha se nuk ka vërejtur ndonjë ndryshim në veri, sa i përket dyshimeve se Serbia po rihap zyrat e saj të Ministrisë së Punëve të Brendshme në katër komunat në veri.

“Gjatë patrullimeve tona të rregullta, nuk kemi vërejtur ndonjë ndryshim në terren”, thanë nga EULEX-i në një përgjigje të shkurtër dërguar Radios Evropa e Lirë.

Radio Evropa e Lirë siguroi disa të dhëna të një institucioni të sigurisë në Kosovë ku thuhej se Serbia po tenton të rihapë zyrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të saj në katër komunat në veri të shtetit, të banuara me shumicë serbe.

Sipas këtyre të dhënave, në katër komuna të veriut të Kosovës, që nga 11 maji i këtij viti janë vendosur zyrat e MPB-së së Serbisë, të cilat kanë qenë funksionale deri në vitin 2013. Selia kryesore e MPB-së serbe, sipas informacioneve të këtij institucioni të sigurisë së Kosovës, do të jetë në Zveçan, afër shkollës fillore “Vuk Karaxhiq”.

Serbia ka pasur strukturat e saj të sigurisë në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq deri në vitin 2013. Por, pas marrëveshjes së arritur në dialogun e Brukselit, ato u integruan në institucionet e Kosovës, kryesisht në Policinë e Kosovës.

Mirëpo, pothuajse të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës nga komuniteti serb dhanë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar, duke kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e veturave që qarkullojnë në veri me tabela që i lëshon Serbia.

Serbia e mbështeti këtë veprim dhe në këmbim u dha të gjithëve kontrata me paga të njëjta siç i kishin marrë nga institucionet e Kosovës.

Të dhënat e siguruara nga REL-i tregojnë se të njëjtat zyre do të hapen edhe në Leposaviq dhe Zubin Potok, po ashtu edhe në objektet e përdorura më parë nga MPB-ja e Serbisë.

Gjithashtu, prezenca e MPB-së së Serbisë është planifikuar edhe në Rudarë afër Zveçanit.

Ndryshe, Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit dhe autoritetet serbe kanë thënë se kusht për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga katër komunat në veri.

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

You may also like