“Është shumë i vjetër për të drejtuar Shtëpinë e Bardhë”, Musk kundër kandidimit të Trump në 2024

by admin
Spread the love

Dy personazhet më të famshme në botë, ish-presidenti Donald Trump dhe multimiliarderi Elon Musk kanë marrë vëmendje të madhe ditët e fundit në Shtetet e Bashkuara.

Njeriu më i pasur në botë së fundmi është shprehur kundër kandidimit të Donald Trump për kreun e Shtëpisë së Bardhë, ndërsa ky i fundit e ka lënë të nënkuptohet se do të garojë kundër kandidatit demokrat në vitin 2024.

“Unë nuk e urrej këtë njeri, por është koha që Trump të mbyllë kapitullin e tij dhe të lundrojë drejt perëndimit të diellit. Trump do të ishte 82 vjeç në fund të mandatit, që është shumë i vjetër për të qenë shef ekzekutiv i ndonjë gjëje, e lëre më i Shteteve të Bashkuara të Amerikës“, tha Musk.

Jo për herë të parë, themeluesi i Teslas dhe Space X favorizon më shumë guvernatorin e Floridas dhe rivalin e Trump në hije, Ron De Santis.

“Nëse DeSantis kandidon kundër Biden në vitin 2024, atëherë ai do të fitonte lehtësisht, madje ai nuk ka nevojë as për të bërë fushatë,” tha ai.

Sipas sondazheve brenda Partisë Republikane, Trump dukshëm është mbi kandidatët e tjerë të mundshëm, përfshirë ish-zëvendëspresidentin Mike Pence dhe ish-sekretarin e Shtetit Mike Pompeo.

Por i dyti pas Trump vjen guvernatori i Floridës Ron De Santis.

Politikat e tij të suksesshme e kanë bërë De Santis të pathyeshëm në Florida, si edhe të fitojë famë ndër republikanët.

You may also like