Escobar falënderohet për marrëveshjen – por, kush e kërkoi shtyrjen e reciprocitetit, ShBA-ja apo BE-ja?

by admin
Spread the love

Nata e 31 korrikut solli sërish barrikadat e serbëve lokalë në veri të vendit në kohën kur kishin mbetur edhe pak orë që Kosova të niste zbatimin e reciprocitetit për dokumentet identifikuese.

Pasi situata në veri filloi të tensionohej ishte ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili takoi me urgjencë presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Ambasadori amerikan pas takimit doli në konferencë, siç nuk ndodh zakonshëm, ku bëri të ditur se i kërkoi Qeverisë së Kosovës që ta shtyjë masën e reciprocitetit për dokumentet dhe targat për një muaj.

Arsyet e kësaj kërkese të fortë amerikane ishin “keqkuptimet dhe dezinformatat rreth këtyre vendimeve”.

Pak minuta para datës 1 gusht, kur duhej të fillonte zbatimi i masës reciproke, Qeveria e lëshoi një njoftim zyrtar ku tha se janë zotuar për shtyrje të reciprocitetit për një muaj dhe se kjo masë do të hynte në fuqi më 1 shtator.

Ndonëse kërkesa erdhi nga amerikani Hovenier, emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se kjo ishte ide e kryediplomatit evropian Josep Borrell.

E vet Borrell e mirëpriti vendimin e Kosovës për shtyrjen njëmujore të zbatimit të reciprocitetit, por nuk tha se kjo ishte ide ose kërkesë e tij.

“Mirëpresim vendimin e Kosovës për shtyrjen e masave deri më 1 shtator. Presim që të gjitha pengesat nëpër rrugë të largohen menjëherë. Ështjet e hapura duhet të adresohen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe fokusimi në normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë thelbësore për rrugët e tyre të integrimit në BE”, kishte cicëruar ai.

Tensionet e veriut – të zakonshme kur institucionet e Kosovës marrin vendime që nuk i pëlqejnë Beogradit zyrtar – ishin tema kryesore e takimit të nivelit të lartë në Bruksel mes kryeministrit kosovar Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Takimi – që u ndërmjetësua si zakonisht nga kryediplomati evropian Josep Borrell dhe emisari Miroslav Lajçak – nuk solli marrëveshje as për targat e as për dokumentet.

Në takimin e 18 gushtit me shumë gjasë u fol edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe që si pikë të agjendës e paralajmëroi emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar.

Amerikani, që dha sinjale për përfshirje më të madhe në dialogun të cilin e mbështesin, u pa edhe në objektin e BE-së ku u mbajt takimi trepalësh mes Kurtit, Vuçiqit e zyrtarëve evropianë.

 

Pas përfundimit të dy rundeve të takimit trilateral ishte Borrell ai i cili e cilësoi si “jo normal” takimin, por që bëri të ditur se Kurti e Vuçiq u pajtuan për t’u takuar sërish.

Në një konferencë për media, ai shprehu keqardhje që takimi i 18 gushtit rezultoi pa marrëveshje teksa shtoi se “të dyja palët do të jenë përgjegjëse për ndonjë eskalim të mundshëm”, njofton Klankosova.tv.

Në natën e 18 gushtit, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, u bëri thirrje Kosovës e Serbisë që të vazhdojnë dialogun, pasi takimi mes palëve në Bruksel u kry pa rezultat.

”Janë një mori zyrtarësh të lartë që po e vëzhgojnë këtë çështje nga afër. E kemi një zyrtar të lartë që është në Bruksel, duke vëzhguar nga afër këto bisedime. Ju siguroj që këto bisedime e kanë vëmendjen e zyrtarëve të lartë amerikanë. Ambasadori ynë në BE është një nga zyrtarët që po e vëzhgon këtë nga afër. Por, ka zyrtarë të lartë që edhe këtu në Uashington po e bëjnë të njëjtën. Kjo është një çështje me të cilën vetë Sekretari Blinken është angazhuar personalisht prej një kohe të gjatë. Ky është një prioritet që përfshinë gjithë organizatën tonë, në terren dhe këtu në SHBA”, tha Price, njofton Klankosova.tv.

Mosarritja e as edhe një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë solli në Prishtinë e Beograd emisarin evropian për dialog Miroslav Lajçak. Veçse me të erdhi edhe emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar.

Takimet në Prishtinë i nisën duke e mbledhur bashkë opozitën, e më pas u takuan edhe me krerët e institucioneve.

Pas takimit me Escobar e Lajçak, Kurti tha se reciprociteti duhet të jetë fryma e dialogut, teksa shtoi se dialogu duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke. Ndërsa, Osmani në takim me dyshen speciale tha se Kosova është palë konstruktive dhe e përgatitur në dialog.

Përpara nisjes për në Serbi, Lajçak e Escobar patën takime edhe me kryetarët e katër komunave veriore si dhe kryetarin e Listës Serbe, ku emisari special i BE-së për dialogun tha se “në veri të Kosovës nuk mund të përsëriten tensionet e 31 korrikut kur disa serbë lokalë ngritën barrikada, për të penguar Qeverinë e Kosovës në zbatimin e vendimeve të saj për targa dhe dokumente udhëtimi”.

Escobar e Lajçak nga Mitrovica u kthyen në Prishtinë prej nga udhëtuan për në Beograd ku takuan presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Takimin e cilësuan si jo të lehtë dhe të gjatë, prandaj për ta bindur për një zgjidhje rreth çështjes së dokumenteve u desh që të flasin edhe në telefon me të.

Për “takim të vështirë” foli edhe presidenti serb.

“Kemi pasur biseda të vështira me Lajçakun dhe Escobarin. Aty ishin edhe ambasadorë të SHBA-së dhe ai i BE-së. Vazhdojmë sonte me bisedime pas orës 22:00”, tha Vuçiq në një video-adresim në Instagram.

Marrëveshja që nuk u arrit më 18 gusht u arrit nëntë ditë pas takimit në kryeqendrën evropiane dhe vizitave të emisarit amerikan e atij evropian në kryeqytetin kosovar e atë serb.

Është kryediplomati evropian, Josep Borrell, ai i cili dha lajmin e madh se në mes Kosovës e Serbisë tashmë ka një marrëveshje në lidhje me dokumentet identifikuese.

Borrell tha se asnjëra palë nuk do ta aplikojë dhënien e dokumenteve për hyrje/dalje për qytetarët e palës tjetër në pikëkalimet kufitare.

Pas arritjes së marrëveshjes emisari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirsolav Lajçak, falëndëroi të dërguarin e posaçëm të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për kontributin e dhënë deri te arritja e marrëveshjes.

Escobar u përmend edhe nga i dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, i cili rishpërndau postimin e Borrell në Tëitter me mbishkrim falënderues për amerikanin.

Përveç Lajçak e Sarrazin, ishte kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ai i cili i falënderoi Lajçakun, Borrellin, Escobarin e në veçanti ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, për arritjen e marrëveshjes.

Kujtojmë se marrëveshja e sotme ka të bëjë vetëm për dokumentet identifikuese, ndërsa çështja për targa mbetet ende e pazgjidhur.

 

 

You may also like