Energjia, miliona euro subvencion/ Greqi, në janar familjeve dhe bizneseve 840 milion euro

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Qeveria greke do të rrisë në janar subvencionet për faturat e energjisë dy herë më shumë se në muajin dhjetor, duke vazhduar politikën e mbështetjes ekonomike të familjeve dhe bizneseve ndaj rritjes së çmimeve të energjisë.

Njoftimin e ka bërë ministri i Energjisë, Kostas Skrekas që ka deklaruar se shuma e përgjithshme e kësaj ndihme do të shkojë në mbi 840 milionë euro dhe se këto para do të sigurohen nga një taksë mbi pesë kompanitë e prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë, të cilat rritën çmimet për muajin që vjen.

“Shuma totale e subvencionit për energjinë elektrike në janar për ekonomitë familjare dhe bizneset arrin në 840 milionë euro, dyfish më shumë se në muajin dhjetor. Pjesa më e madhe e parave të disponueshme këtë muaj vjen edhe nga taksimi i fitimeve të tepërta të kompanive të prodhimit dhe furnizimit me energji elektrike dhe nga të ardhurat nga të drejtat e emetimit të karbonit”, tha Kostas Skrekas, Ministri i Energjitikës.

Sipas skemës qeveritare për klientët që konsumojnë deri në 500 kilovat orë energji elektrike në muaj,  subvencioni do të arrijë në 330 euro për megavat orë, dhe kjo shumë mbulon gati 87% të rritjes së çmimeve.

Për konsum mujor nga 500 deri në 1000 kilovat orë subvencioni është 280 euro për megavat orë dhe në se kursen 15% energjinë ditore, ai rritet me 50 euro për megavat orë.Për konsumin mujor prej më shumë se 1000 kilovat orë, subvencioni arrin në 190 euro për megavat orë. Në familjet e përfshira në Tarifën Sociale Familjare, rritja e çmimit mbulohet tërësisht nga subvencioni.

Gjithashtu rreth 700 mijë familje që përdorin gaz natyror për ngrohje do të përfitojnë një ndihmë mujore prej 20 euro për megavat orë.

Qeveria greke ka shpenzuar këtë vit më shumë se 10 miliardë euro për të ndihmuar familjet dhe bizneset të paguajnë faturat e tyre të energjisë elektrike, gazit dhe karburantit të ngrohjes, të cilat janë rritur pas çmimeve stratosferike të energjisë në Europë si pasojë e luftës në Ukrainë.


Top Channel

You may also like