Elmi Aziri: Kriza thellohet, Qeveria injoroi paralajmërimet dhe propozimet e ASH-së

by admin
Spread the love

Ashtu siç edhe pritej dje Qeveria e RMV shpalli gjendjen e krizës energjetike. Qëllimi i këtij vendimi të qeverisë është që kompanitë shtetërore energjetike të marrin më lehtë dhe sa më shpejt para nga buxheti i shtetit për prodhimin dhe blerjen e energjisë elektrike, si dhe për blerjen e naftës dhe qymyrit. Me hyrjen në fuqi të vendimit nga 1 shtatori do të vlejnë edhe masat e qeverisë për kursimin e energjisë elektrike, të cilat do të jenë të detyrueshme për institucionet publike dhe të pëlqyeshme që të njëjtat të gjejnë zbatim e përkrahje edhe tek konsumatorët familjarë dhe kompanitë private.

Është një konkluzioni i përgjithshëm i autoriteteve dhe ekspertëve të tregut të energjisë elektrike se na pret ndoshta dimri më i vështirë në 50 vitet e fundit, për sa i përket furnizimit me energji elektrike. Çmimet e energjisë elektrike në vend nga korriku i këtij viti shënuan një rritje të lartë ,dhe kështu natyrshëm pritet që të rriten kostot e produkteve me çka çmimet e të gjitha mallrave të konsumit të gjerë në mënyrë të pashmangshme do të rriten.

ASH në disa dalje të saja publike e në konferenca për shtyp ka artikuluar e ka theksuar qartë për masat e vendimet që duhet të ndërmarrë qeveria për tejkalimin e kësaj krize. Me fakte, detaje e analiza të mirëfillta ka pasqyruar, alarmuar e këshilluar qeverinë dhe KRRE për pasojat që do të pasonin si rezultat i neglizhencës e keqmenaxhimit të resurseve energjetike në vend nga ana e tyre si dhe nga vendimet e pamatura dhe abstrakte që sollën këtë krizë të thellë energjetike e ekonomike në vend.

Siç edhe paralajmëruam në daljet tona të mëparshme publike, më të goditur nga ndryshimi i sistemit tarifor dhe rritja e çmimit të energjisë elektrike do të jenë bizneset e vogla familjare e ato artizanale. Faturat e energjisë elektrike për muajin korrik 2022 janë në vlerë nga 50% deri në 100 % më të larta nga muaji paraardhës, kjo është një kosto shumë e lartë për këtë lloj të biznesit, dhe paralajmërimet janë shumë të zymta, pasi shumë biznese të këtij lloji mendojnë që të mbyllin aktivitetet e tyre ekonomike, pasi detyrimet, taksat, tatimet, faturat e energjisë elektrike, kanë një kosto shumë të lartë e të papërballueshëm për ta.

Një goditje fatale nga ky sistem i ri tarifor dhe rritje e çmimit të energjisë elektrike kanë pësuar edhe organet e pushtetit lokal ( ndriçimi publik ) , shkollat e institucionet arsimore, qendrat e përkujdesjes sociale, shtëpitë e përkujdesjes së pleqve, konviktet e nxënësve…, të njëjtët tani paguajnë fatura gati më vlerë mbi 200 % më të larta nga muaji paraardhës.

Gjithashtu me fakte të dokumentuara e të pamohueshme, ASH ka prezantuar se konsumatorët familjarë ( qytetarët ) e bizneset e vogla në RMV paguajë fatura të energjisë elektrike më të larta nga shumë vende të rajonit tonë .
Është një gjendje shumë kritike e alarmante që kërkon marrjen e masave të menjëhershme për përballimin e kësaj krize të thellë energjetike e ekonomike.

ASH si një subjekt politik i ndërgjegjshëm dhe në krah të qytetarëve gjithmonë ka dhënë ide, mendime e sygjerime se si të rritet prodhimi vendas dhe cilat burime energjetike, veçanërisht në sferën e burimeve të rinovueshme, kanë potencialin më të madh në vend.

Përsërisim, RMV ka potencial të lartë të prodhojë energji elektrike nga uji, dielli, era dhe biogazi, si burime të ripërtëritshme të energjisë, prodhimi vetanak i energjisë elektrike është i një rëndësie jetike.

Edhe ndërtimi i impianteve fotovoltaikë është një zgjidhje. Energjinë diellore e kemi me bollëk, ndaj ndërtimi i termocentraleve fotovoltaikë, prodhimi i të cilëve do të përdoret për konsum vetjak, është shumë i dobishëm, veçanërisht për subjektet ekonomike ku energjia elektrike është faktor kryesor në çmimin e produktit final të tyre. Me investimin në termocentrale të tilla fotovoltaike, çdo subjekt afarist do të jetë shumë më konkurrues në treg dhe madje do të mund të fitojë tregje të reja për plasimin e produkteve të veta.

Por edhe pse si ASH kemi shprehur hapur dëshirën dhe vullnetin për të ndihmuar në këtë krizë të thellë ekonomike e energjetike, nga ana tjetër kjo qeveri e ky KRRE as që kanë dënjuar të dëgjojnë e ti shqyrtojnë propozimet e sygjerimet tona. Fatkeqësisht !

Themi fatkeqesisht pasi këto rritje të faturave të energjisë elektrike e të çmimeve të produkteve të konsumit të gjerë godasin fuqishëm e pamëshirshëm xhepin e qytetarëve të këtij vendi .

Lexo lajme interesante

You may also like