Eliminohet Partizani, ruleta e penalltive i buzëqesh Saburtalos

by admin
Spread the love

Një sfidë spektakolare kanë shijuar shikuesit e Oversport dhe Tibo mes Partizanit dhe Saburtalos, të vlefshme për turin e parë të Conference League. Emocione të mëdha ka sjellë kjo ndeshje dhe pas shumë vuajtjesh gjeorgjianët e Saburtalos sigurojnë një vend në turin e dytë pasi tregohen më të saktë në ruletën e penalltive.

120 minuta lojë nuk kanë mjaftuar për të përcaktuar skuadrën që do të kualifikohej në turin e dytë të Conference League. Koha e rregullt përfundoi 1-0 për Saburtalo, duke çuar në 1-1 rezultatin e përgjithshëm të sfidës.

Miqtë nga Gjeorgjia kanë luajtur më mirë në pjesën e parë dhe kanë tentuar disa herë që të gjejnë rrugën e rrjetës me goditje nga distanca, por nuk kanë arritur që të mposhtin portierin Teqja.

Partizani nis shumë mirë pjesën e dytë dhe i afrohet golit me Rrapajn, por pak minuta më vonë janë miqtë ata që zhbllokojnë sfidën me anë të Guliashvili.

“Të kuqtë” kundërpërgjigjen me Bitrin, por mbrojtësi nuk e çon dot topin në rrjetë. Partizani mundohet të reagojë, por rastet më të pastra për shënim i ka Saburtalo, që i afrohet golit të dytë në disa raste.

Mbyllet 0-1 koha e rregullt dhe për të përcaktuar skuadrën që kualifikohet në turin tjetër duhet të luhet koha shtesë. Skuka humbet një mundësi të artë për të kaluar Partizanin në avantazh, ndërsa Teqja bën heroi duke ruajtur portën të paprekur në fund të shtesës së parë. Nuk ka raste në shtesën e dytë dhe duhet të gjuhen penalltitë që të vendoset se kush do të kualifikohet në turin tjetër.

Ruleta e penalltive i buzëqesh Saburtalos, që kualifikohet kështu në turin e dytë të Conference League. / Oversport.tv

You may also like