Ekonomistët paralajmërojnë një tjetër vit të trazuar për tregjet

by admin
Spread the love

Investitorët duhet të përgatiten për një tjetër vit të trazuar në tregjet financiare, kanë paralajmëruar ekonomistët, teksa bankat qendrore luftojnë inflacionin, Kina rihap ekonominë pas kufizimeve të Covid dhe lufta e Ukrainës e shtyn ekonominë globale drejt recesionit.

Gjysma e parë e vitit të ri ka të ngjarë të jetë me luhatje, sipas parashikimeve të Wall Street, pasi vitin që kaloi, tregjet globale pësuan rënien e tyre më të madhe që nga kriza financiare e vitit 2008.

Por S&P 500 i SHBA-së gjithësesi pritet të përfundojë vitin 2023 pak më lart se sa e nisi. Objektivi mesatar i 22 strategëve të pyetur nga Bloomberg është që ta mbyllë vitin 2023 me 4,078 pikë – rreth 6% më lartë se në vitin 2022.

Ekonomistët po kërkojnë që Rezerva Federale e SHBA-së të ngadalësojë rritjen e normave të interesit këtë vit, teksa perspektiva për ekonominë e Amerikës përkeqësohet. Inflacioni në SHBA ka rënë nga kulmi që arriti verën e kaluar, ndërsa rritja e normave të interesit në vitin 2022 ka tkurrur tregun e banesave.

“Ne besojmë se një periudhë e rritjes është e pashmangshme dhe rreziqet e recesionit janë të larta pasi efektet e vonuara të një politike të shtrënguar monetare ndjehen në ekonomi,” tha Brian Rose, ekonomist i lartë amerikan në UBS Global Wealth Management.

Michael Antonelli, drejtor menaxhimi dhe strateg i tregut në bankën e investimeve Baird, parashikoi se Fed do të “shtypë butonin e pauzës” në shkurt pas një rritjeje të normës së interesit. Ai gjithashtu pret që tregu i aksioneve amerikane të ketë fitime gjatë vitit 2023.

“Tregjet e aksioneve pyesin ‘a po përmirësohen, apo po përkeqësohen gjërat?’ Unë mendoj se ato do të përmirësohen pak vitin e ardhshëm,” tha Antonelli për Yahoo Finance Live. Ai shtoi: “Unë nuk mendoj se po marrim ndonjë fitim të madh, por mendoj se viti i ardhshëm do të jetë disi pozitiv.”

Deutsche Bank parashikon rënie ekonomike këtë vit, të cilat do të godasin tregjet financiare. “Ne parashikojmë që tregjet kryesore të aksioneve të bien 25% nga nivelet që ishin kur goditi recesioni në SHBA, por më pas rikuperohen plotësisht deri në fund të vitit 2023, duke supozuar se recesioni zgjat vetëm disa tremujorë,” thanë analistët e Deutsche Bank në 2023 World Outlook, në fund të vitit të kaluar.

Një rënie globale mund t’i shtyjë bankat qendrore të anulojnë disa nga masat për rritjen e normave të interesit të zbatuara vitin e kaluar. Nikolaj Schmidt, kryeekonomist ndërkombëtar në firmën e menaxhimit të investimeve T Rowe Price, parashikon se bankat qendrore kryesore do të lehtësojnë politikën monetare në fillim të gjysmës së dytë të 2023.

Schmidt tha: “Ne e shohim që bota po zhytet në një recesion global në vitin 2023. Recesioni do të jetë rezultat i shtrëngimit të jashtëzakonshëm monetar që bankat qendrore kanë zbatuar gjatë 12 muajve të fundit. 

Analistët në bankën e investimeve Jefferies parashikojnë një recesion global këtë vit, por presin që Azia mund të shmangë një rënie të drejtpërdrejtë.  Rajoni mund të përfitojë nga një ringjallje e turizmit, pasi turistët kinezë do fillojnë t’u rikthehen udhëtimeve.  “Azia mund të shmangë një recesion të drejtpërdrejtë. Në goditjet e kaluara të krizave të dotcom dhe GFC [Kriza e Madhe Financiare], Azia u rimëkëmb shpejt dhe ne presim që ajo të mund të bëjë të njëjtën gjë në 2023″, thanë ata.

Vendimi i Kinës për të lehtësuar kufizimet e Covid muajin e kaluar mund të lehtësojë tensionet globale të zinxhirit të furnizimit, por gjithashtu mund të çojë në kërkesë më të lartë për mallra dhe energji, duke shtuar presionet e inflacionit.

Banka e Anglisë pritet të rrisë sërish normat e interesit, me normën bankare që parashikohet të arrijë në 4.5% në verë, nga 3.5% që është aktualisht.

FTSE 100 i Britanisë ishte një nga pak indekset kryesore të aksioneve që u rrit gjatë vitit 2022, duke fituar pothuajse 1%. Ipek Ozk-ardeskaya në Swissquote parashikoi se performanca e lartë e FTSE 100 mund të shtrihet edhe gjatë vitit të ri: “Nëse rihapja kineze sjell një tjetër goditje në inflacion për shkak të çmimeve më të larta të energjisë dhe mallrave, FTSE 100 mund të vazhdojë t’u ofrojë një strehë të mirë atyre që janë të gatshëm për të marrë masa mbrojtëse kundër një inflacioni global të shkaktuar nga energjia”.

Ekonomia e Rusisë është në recesion.  “Pasi ka nisur një luftë brutale, Putini nuk ka rrugëdalje”, thonë ekonomistët në bankën Berenberg. / The Guardian – Bota.al

You may also like