Edmond Spaho ka një mesazh për Bashën: Bën gabim nëse përgjigjet me forcë

by admin
Spread the love

Prej 2 ditësh tashmë mbështetësit e Sali Berishës e kanë gjetur të kyçur derën e Partisë Demokratike për ta. Për deputetin Edmond Spaho, mbështetës i ‘Foltores’, kjo do të marrë fund më 8 janar, kur sipas tij demokratëve do t’u kthehet shtëpia e tyre.

Në një intervistë televizive, Spaho thotë se Basha duhet të dorëzojë zyrën, pasi sipas tij është thjesht deputet i Partisë Demokratike.

“Ka vendime të Kuvendit të 11 dhjetorit që duhen zbatuar. Komisioni i Rithemelimit duhet të vendoset në ato zyra dhe të vazhdojë punën. Protesta do të jetë paqësore. Qëllimi i protestës është të rimarrë selinë e PD dhe t’ia kthejë anëtarëve të Partisë Demokratike, të cilët vendimet i marrin me shumicë”, tha ai.

Spaho shprehet se Basha do të bënte gabimin më të madh nëse i përgjigjet me forcë demokratëve.

“Unë nuk besoj që Basha do t’i qëndrojë vrullit të anëtarësisë. Do t’i përgjigjet me forcë atyre? Do të bënte gabimin më fatal nëse e bën këtë bashkë me Edi Ramën. Nëse anëtarësia nuk të do nuk mund të qëndrosh me zor. Demokratët do të shkojnë atje që të marrin shtëpinë e tyre, Selinë e PD e cila tanimë është kthyer në bunker”, vijoi, deputeti Edmond Spaho.
Ai rikujtoi edhe një herë gabimet e rënda që ka bërë z. Basha sipas tij në këto 8 vite që drejton PD-në.

“Janë marrë vendime shumë të gabuara. Unë si kryetar i Grupit Parlamentar kam pasur takime me zyrtarë të lartë amerikanë dhe i kam premtuar atëherë se kurrë nuk do t’i braktisim mandatet. Dhe erdhi momenti dhe e bëmë. Unë asnjëherë nuk e kam kuptuar pse ne nuk ishim aty kur u bë reforma territoriale. Të gjitha gabimet janë mbledhur dhe janë mbivendosur”, tha ndër të tjera deputeti demokrat Edmond Spaho.

You may also like