Me rezultate laboratorike nga Instituti kombëtar për ushqim dhe veterinari pranë Fakultetit për mjekësi veterinere – Shkup (FMV) nga data 28:10.2024, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV), ka konfirmuar rats të ri të sëmundjes influenca aviare, ndryshe e njohur si H5N1 (gripi i shpendëve) tek një zog i egër i ngordhur – patë, në kompleksin rezidencial Shën Jovani në fshatin Zllokuqan të Shkupit.
Siç njoftuan sot nga AUV, është kryer testim laboratorik i dy shpendëve të gjallë (mjellma), tek të cilat nuk është vërtetuar prani e virusit. Sot ndërmerren masa për kapjen e shendëve tjera në kompleks, tek të cilat do të kryhen testime laboratorike për vërtetimin e pranisë së sëmundjes
“AUV ka marrë vendim për shpalljen e sëmundjes dhe urdhëroi zbatimin e masave mbrojtëse dhe kontrolluese, me qëllim parandalimin e përhapjes dhe shtypjes së kësaj zoonoze – vrasjen dhe asgjësimin e padëmshëm të shpendëve të egër të gjetur në vend, me përjashtim të shpendëve që mbahen në një hapësirë të mbyllur dhe nga të cilat janë marrë mostrat për testim laboratorik për të përcaktuar praninë e gripit të shpendëve, urdhërohet dezinfektimi i fermës, ndalohet lëvizja e shpendëve të tjerë brenda dhe jashtë fermës pa miratimin e një veterineri zyrtar”, thuhet në njoftim.
Krahas këtyre masave, urdhërohet edhe mbyllja e shpendëve/zogjve në mjediset e tyre të shumimit, marrja e mostrave nga shpendët e ngordhur për të përcaktuar praninë e virusit, ndalimi i mbajtjes së panaireve, ekspozitave, tregjeve dhe tubimeve të tjera të shpendëve apo shpendëve nga zona epizootologjike të specifikuar.
Është i detyrueshëm raportimi i ndryshimeve në gjendjen shëndetësore dhe rritja e vdekshmërisë së shpendëve të egër tek veterineri zyrtar kompetent, si dhe aplikimi i masave të biosigurisë gjatë zbatimit të të gjitha aktiviteteve në fermë.
Sqarohet se sëmundja përhapet më së shumti përmes shpendëve shtegtarë të cilët konsiderohen si rezervuari i saj. Bëhet fjalë për një zoonozë që prek kryesisht shpendët, por edhe njerëzit, prandaj AUV apelon për vigjilencë dhe marrjen e masave mbrojtëse për kategoritë e personave në rrezik (kontakti i ngushtë me shpendët e infektuar ose në mjedise shumë të kontaminuara).