Edhe Amazon do të shkurtojë mijëra vende pune

by admin
Spread the love
Shkak, ngadalësimi i shitjeve

 

Sipas asaj që raportohet, Amazon po përgatitet të shkurtojë mijëra vende pune në zyrë, për shkak të ngadalësimit të shitjeve dhe shqetësimeve për krizën ekonomike.

Shkurtimet mund të prekin rreth 3% të personelit në zyrë të gjigantit të e-commerce, ose rreth 10 mijë persona – shkruajnë mediat amerikane, duke cituar burime anonime.

Shkurtimet mund të prekin divizionet si pajisjet personale dhe e-commerce.
Amazon nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Kompania ka njoftuar më parë ngrirjen e punësimeve të reja dhe ka ndalur zgjerimin e magazinave, duke paralajmëruar se kishte punësuar një numër të madh punonjësish gjatë pandemisë. Amazon, ndër të tjera, ka marrë masa për të mbyllur disa pjesë të aktivitetit, duke anuluar projekte për një robot personal për dërgesat.

Javën e kaluar, kompania deklaroi se tkurrja e shpenzimeve do të jetë në fokus gjatë rishikimit vjetor të operacioneve të biznesit.

“Si pjesë e rishikimit të këtij viti, natyrisht po marrim në konsideratë makro-mjedisin aktual dhe po vlerësojmë mundësitë për të reduktuar kostot” – deklaroi kompania në një komunikatë.

Numri i vendeve të punës që do të shkurtohen ende nuk është saktësuar, sipas asaj që shkruajnë mediat. Amazon është përballur me ngadalësim të shitjeve online pas bumit të shitjeve gjatë pandemisë.

Edhe pse të ardhurat e përgjithshme janë rritur me 15% në tremujorin e fundit, kompania ka qenë e kujdesshme mbi pritshmëritë, duke qenë se ngadalësimi po shtrihet në sektorë të tjerë, duke përfshirë njësinë e saj cloud computing, Amazon Web Services, që për një kohë të gjatë ka mbështetur të ardhurat.

Themeluesi Jeff Bezos, i cili ka dhënë dorëheqjen si drejtues ekzekutiv, por mbetet president i këshillit drejtues, deklaroi në rrjetet sociale se ka ardhur momenti “për t’u përballur me kohëra të vështira”.

Amazon i bashkohet një vargu kompanish të tjera teknologjike që kanë njoftuar shkurtime të vendeve të punës, duke paralajmëruar rënie në ekonomi. Lista përfshin Meta, shoqërinë mëmë të Facebook, Instagram dhe WhatsApp, e cila së fundi ka deklaruar se do të shkurtojë 11.000 vende pune – shkurtimi më i madh i vendeve të punës në historinë e kompanisë, ose rreth 13% të forcës së punës.

Sipas një raporti të Challenger, Gray & Christmas, që gjurmon njoftime të tilla, këtë vit kompanitë teknologjike amerikane kanë humbur më shumë se 28 mijë vende pune, më shumë se dyfishi krahasuar me një vit më parë.

/ BBC

Lexo lajme interesante

You may also like