Mbrëmja mund të ishte më e bukur nëse Interi nuk do të kishte pësuar 2 gola edhe kur Torino luajti me 10 lojtarë. Mirëpo, trajneri Inzagi është i kënaqur me faktin që zikaltrit fituan dhe kanë pasur vazhdimësi pas humbjes në derbi.
Besoj jeni i kënaqur me fitoren, por pësoni shumë gola…
Mendova se do të më pyesje për 3 fitoret në 7 ditë. Pas derbit djemtë kanë luajtur 3 ndeshje në një javë duke fituar dhe duke kaluar edhe vështirësitë. Duhet sigurisht që të përmirësohemi në disa aspekte. Jemi duke i paguar me çmim të shtrenjtë gabimet. Duhet të punojmë pa u relaksuar sepse dhe ndaj Cervena Zvezdës kemi parë disa detaje që duhen korrigjuar.
Nuk duhet të përfundonte 3-2 kjo ndeshje. Torino edhe me 10 lojtarë na vuri në vështirësi. Ne patëm shumë raste, ku portieri i tyre i ndali, por edhe ne na mungoi saktësia. Por dua t’i falënderoj djemtë për impenjimin. Duhet të punojmë sepse çdo mungesë vëmendjeje po na shndërrohet në gol.
Ju keni ndryshuar 7 lojtarë mes Champions-it dhe kampionatit. Bastoni, Çalha dhe Mkitarian janë të pazëvendësueshëm?
Jo. Thjesht kam menduar që lojtarët e mësipërm mund t’i përballojnë 3 ndeshje në një javë. Sigurisht që kam dashur t’i freskoj me disa minuta. Jemi duke u rritur të gjithë dhe lojtarët më vënë në vështirësi për të bërë formacionin. Por nuk janë zgjedhje të menduara aspak.
Në Champions nuk pësoni gol, ndërsa në kampionat 4 gola në 2 ndeshje. Është rastësi apo mungesë vëmendjeje?
Mos ndoshta në Serinë A skuadrat përgatiten mirë? Ndryshojnë rivalët dhe interpretuesit e ndeshjeve. Mund të pësonim gol edhe me Mançesterin dhe Cervena Zvezdën. Ndaj Torinos dhe Udinezes rivalët patën pak raste dhe sërish pësuam. Ka disa momente për të cilat duhet të punojmë sepse ajo që po bëjmë deri tani nuk po mjafton. Por unë nuk i lë gjë rastësisë dhe skuadra duhet të përmirësohet.
Çfarë ka ndryshuar Turam në këtë sezon?
Është duke u përshtatur shumë mirë me Lautaron sepse po sulmon thellësinë. Edhe në menaxhimin e topit është i zoti. Po sulmon vazhdimisht thellësinë dhe këtë i kërkojmë kur luajmë ndaj rivalëve që mbrohen. Ne kemi për detyrë që të sulmojmë thellësinë.
Ka një skuadër që e shihni me vëmendje dhe shqetësim për titullin?
Vitin e kaluar nuk ishte shëtitje titulli. Ne kemi bërë një rrugëtim të shkëlqyer, por këtë sezon ekipet janë forcuar së tepërmi dhe kanë të njëjtin objektiv si Interi. Ne duhet të kërkojmë të punojmë, por nuk më pëlqejnë devijimet.
Tani është Napoli në krye, por edhe Juvja e Milani në Europë kanë bërë shumë mirë. Unë jam i përqendruar te skuadra ime. Tani të përgatitemi për të ardhmen.
PANORAMASPORT.AL